Sindikatat i dalin kundër Kurtit për pagat, s’pajtohen me shumën, e vënë në pikëpyetje edhe ligjshmërinë

Prishtinë | 30 Tet 2024 | 12:30 | Nga Ekonomia Online

Sindikatat në vend nuk janë ndarë të kënaqura me rritjen e pagave që paralajmëroi Kryeministri Albin Kurti nga janari, përkatësisht korriku. Sindikata e Policisë ka kërkuar që rritja të bëhet për dy koeficientë. SBASHK ka kërkuar rritje së paku 30 përqind, edhe atë menjëherë. Ndërkohë, BSPK ka ngritur pikëpyetje rreth legjitimitetit dhe drejtësisë së vendimit, duke lënë të kuptohet se nuk janë konsultuar fare për këtë çështje.

Nga janari i vitit të ardhshëm, pagat në sektorin publik pritet të rriten për 55 euro, derisa 55 euro të tjera do t’u shtohen nga muaji korrik.

Kryeministri Albin Kurti dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, shpjeguan se kjo ngritje sivjet do të bëhet përmes rritjes së koeficientit për një njësi, derisa vlera monetare e koeficientit do të mbetet e njëjta si sivjet, pra 110 euro.

Sipas tabelës që prezantuan dje Kurti e Murati, mësuesit nga 616 euro sa paguhen tash, me rritje do të marrin 726 euro, policët nga 550 do të marrin 660 euro, infermierët nga 605 euro do të marrin 715 euro, zjarrfikësit prej 550 euro pagë që kanë tash, do të paguhen 660 euro, e ushtarët nga 616 euro sa e kanë pagën tash, vitin tjetër do të marrin 726 euro.

Me këtë propozim, të pakënaqura janë ndarë sindikatat në vend.

Sindikata e Policisë ka thënë se shuma e propozuar nga ekzekutivi për rritje, nuk përkon me nevojat reale të punonjësve të policisë.

“Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga qeveria për rritjen e pagave. SPK përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe mbështet idenë që kjo rritje të jetë lineare për të gjithë punonjësit. Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tone”, theksohet në reagim.

Kërkesa e tyre është që të ketë rritje prej dy koeficientësh.

“Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë”, thuhet në reagim.

Sipas sindikatës, do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për policët, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit.

Nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit e kanë cilësuar këtë si veprim për fushatë, duke aluduar për kohën kur vendimi do të hyjë në fuqi, janarin e vitit 2025.

Kryetari i SBASHK, Rrahman Jasharaj, ka kërkuar ngritje të menjëhershme për së paku 30 përqind.

Një rritje prej 50 euro, Jasharaj tha se është e papranueshme për ta.

“Sa i takon rritjes, ne nuk kemi kurrgjë zyrtare, mirëpo kemi insistuar nga zotëri Kurti dhe Murati që ngritja të jetë në shtatorin që iku, të jetë së paku në këtë tetor dhe të jetë së paku 30%. Sepse ngritjet që u bënë në fillim të këtij viti nga 105-110 ishin ironike, ngase në arsimin parauniversitar siguruan një rritje 28 euro dhe unë po them njeriu turpnohet me i kallëzu një shteti fqinj sepse një pjesë të shteteve nuk i kemi fort miq. E çka don me i thanë dikujt na e rriti shteti 28 euro pagën, kur në shtetet tjera ka arrit te 900 e te 1 mijëshi. Kjo rritja në janar e ato janë sikur në Pejë që janë do fjalë “a po m’i jep do sende veresi”. Në janar çkado që bëhet është fushatë dhe një ngritje e tillë tash me shku me 50 euro me 20 euro është jo e pranueshme për ne”, tha Jasharaj.

Nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kanë ngritur pikëpyetje rreth legjitimitetit dhe drejtësisë së vendimit

Kryetari i BSPK’së, Atdhe Hykolli, ka thënë se edhe pse rritja e pagave është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetesës së punonjësve, është thelbësore që ky proces të jetë transparent dhe i bazuar në ligj.

“Kryeministri përmendi disa kategori, si mësuesit, policët, zjarrfikësit dhe punonjësit e administrates publike, por e la të paqartë se cilat grupe specifike do të përfitojnë nga këto rritje. Për më tepër, shumë nga këto kategori nuk janë të përfshira në Ligjin e Pagave ashtu si u deklarua, duke ngritur pyetje rreth legjitimitetit dhe drejtësisë së këtij vendimi. Kjo situatë mund të krijojë konfuzion dhe pasiguri për punonjësit, të cilët meritojnë transparencë dhe sqarime të qarta”, ka thënë Hykolli.

Ai ka kërkuar që çdo rritje page të bazohet në kritere të qarta dhe të drejta dhe se përfaqësuesit e sindikatave të përfshihen në diskutim,e të tilla.

“Rritja e pagave duhet të jetë pjesë e një strategjie të gjerë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit publik dhe për përmirësimin e kushteve të punës. Ne si Bashkim i Sindikatave të Pavarura të Kosovës jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet për të arritur këto qëllime, por kërkojmë angazhim dhe qartësi në çdo hap të këtij procesi.”, thuhet në fund të reagimit.

Ndryshe, në konferencën e djeshme, Kurti tha se ky është viti i tretë radhazi që pagat po rriten në Qeverinë e tij, duke shtuar se kjo në qeveritë e kaluara bëhej vetëm “në fushatë”, duke harruar se edhe vendimi i tij do të hyjë në fuqi në janar, rreth një muaj para zgjedhjeve

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave në sektorin publik, në vitin 2023 kemi pasur rritjen më substanciale në dekadën e fundit duke e shtuar buxhetin e pagave për 114 milionë euro. Edhe në vitin 2024 aplikuam rritjen e koeficientit, duke e ngritur atë nga në 105 në 110 euro. Tani në vitin 2025 do të jetë viti i tretë që i rrisim pagat radhazi. Pra përderisa në të kaluarën, pagat rriteshin vetëm njëherë edhe atë në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e Ligjit të Pagave ashtu siç e parasheh edhe Ligji”, shtoi Kurti.

Kurti tha se rritja e pagave është bërë gjithmonë siç e parasheh Ligji.

“Pra rritja e pagave duhet të jetë në linjë me rritjen ekonomike, sepse përndryshe financat e shtetit mund të hyjnë në shtegun e paqëndrueshmërisë afatgjatë dhe kjo do të ishte papërgjegjësi”, deklaroi Kryeministri.

Të ngjashme