Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli për Ekonomia Online tha se kanë dërguar anëtarë në komisionin që po punon në Projektligjin e Pagave.
Sipas tij, nëse nuk ka përparim në këtë drejtim zgjidhje e vetme mbesin veprimet sindikale si greva dhe protestat.
“Ne mendojmë se së shpejti ata do të na thërrasin e do të fillojmë punën në këtë Projektligj që është shumë i rëndësishëm për Ligjin e Pagave”.
“Të gjitha rrugët që janë sindikale duke e përfshirë edhe grevën edhe protestat e çdo gjë që është sindikale. Mirëpo ne jemi partnerë social me Qeverinë, ne kemi dëshirë që të dialogojmë të ecim përpara. Ligji i Pagave sa është i rëndësishëm për sindikata njashtu është i rëndësishëm edhe për partnerin tonë social Qeverinë e Kosovës”.
Edhe nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Vjollca Shala për Ekonomia Online tha se i’u është dhënë premtim që deri në fund të muajit mars do të përgatitet drafti final i Projektligjit e nëse kjo nuk do të ndodh do të marrin veprime sindikale.
“Nëse deri atëherë nuk përgatitet atëherë ne me 2 prill e kemi kongresin dhe në kongres do të vendoset se çfarë më tutje. Ka mundësi natyrisht që të shkohet edhe me veprime sindikale nëse nuk arrihet draftimi i ligjit pagave deri në atë kohë”.
Shala tha se mbetet të shihet se çfarë koeficiente do të përcaktohen për punonjësit e arsimit.
“Nga klasa e parë deri në klasën e pestë mësimdhënëse t’iu bëhet barazimi i koeficienteve me ata që janë prej klasës gjashtë deri në klasën e nëntë”.
“Njëherit kemi edhe kërkesa për koeficientet e psikologëve, pedagogëve pastaj pjesës administrative të universitetit. Kërkesa që kanë qenë në ligjin e mëparshëm të pagave. Akoma nuk kemi informacione sa i përket vendosjes së koeficienteve për punëtorët e arsimit”.
Nënkryetar i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës Enlirat Duraku për Ekonomia Online tha se Sindikata e Infermierëve ka qenë konsistent për një pagë dinjitoze dhe mirëqenie sociale-ekonomike sa më të mirë për profesionistët shëndetësorë.
“Koeficienti 3.2 me koeficientin aktual të pagave. Sindikata e Infermierëve është ftuar në një diskutim publik të organizuar nga Aleanca për Ardhmërisë së Kosovës në Kuvendin e Republikës për Ligjin e Pagave ku edhe aty kemi deklaruar që koeficientet paraprak në ligjin e zhvlerësuar nga Gjykata Kushtetuese në të cilin ligj koeficienti për infermierë ishte 2.0-2.25 nuk e lejuam në asnjë mënyrë me kaluar. Andaj kërkesa jonë e padiskutueshme është koeficienti 3.2 me koeficientin aktual të pagave”.
Duraku tutje thotë se profesionistët shëndetësor janë komuniteti më i neglizhuar e i mbingarkuar që nga pas lufta, raporton EO.
“Kështu që ne në kërkesën tonë jemi shumë të qartë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë që koeficienti nën 3.2 të kaloj në ligjin e pagave. Sigurisht që ka tendenca edhe tjera që kërkesa jonë të mos aprovohet ne sigurisht që do të marrim veprime dhe masa sindikale konform kompetencave që kemi si sindikatë edhe ligjeve që janë në fuqi në Kosovë”.
“Sigurisht që në fillim do të mbajmë protestë pastaj gradualisht duke vazhduar deri në grevë edhe bojkot të punës”.