Brenda kësaj jave, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Federata Sindikale e Shëndetësisë, Sindikata e policisë, Sindikata e Doganës dhe ajo e Zjarrfikësve do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, me kërkesën që ta revokojë vendimin për pezullimin e Ligjit për paga. Sindikatat janë afër finalizimit të kërkesës së tyre.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, dhe ai i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, kanë thënë presin që të merret parasysh kërkesa e tyre, në të kundërtën, nuk do të rrinë duarkryq, por do të ndërmarrin veprime të tjera, shkruan sot “Koha Ditore”.
Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim ta pezullojë Ligjin për paga deri në muajin mars. Kjo, për shkak se Institucioni i Avokatit të Popullit i ishte drejtuar Kushtetueses, duke kërkuar interpretim për Ligjin e pagave, meqë kishte pranuar 35 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik ndaj këtij ligji.
Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka deklaruar se duan t’ia bëjnë të qartë Kushtetueses se me pezullimin e Ligjit të pagave janë dëmtuar mijëra punëtorë të sektorit publik. Nëse ligji kthehet në piken zëri, sipas tij, pasojat do të jenë të paparashikueshme.