Singapori jep bonus për t’i nxitur prindërit të lindin gjatë pandemisë

Prishtinë | 06 Tet 2020 | 09:50 | Nga Ekonomia Online

Singapori është duke ofruar një bonus të madh për t’i nxitur prindërit që të sjellin në jetë foshnje gjatë pandemisë me koronavirus.

Shumë prindër në Singapor janë të shqetësuar se do të mbesin keq ekonomikisht, kështu që edhe për shkak të stresit kanë vendosur të mos sjellin në jetë fëmijë.

Ende nuk është bërë e ditur nga organet kompetente shuma që do t’u jepet këtyre prindërve, porse mediat në Singapor e vlerësojnë shumë të majme.

Singapori është një ndër vendet me nivelin më të ulët të lindjeve në botë. Autoritetet janë duke luftuar me dekada për ta rritur këtë, përcjell BBC. 

Është në kontrast të madh me shtetet fqinje si Indonezia dhe Filipinet, të cilat po përballen me rritje masive të lindjeve të reja.

“Kemi marrë reagime të shumta gjatë pandemisë COVID-19. Prindërit po refuzojnë të sjellin në jetë foshnje për shkak se kanë frikë të mbesin edhe pa punë”, tha zëvendëskryeministri i Singaporit, Heng Swee Keat.

Keat tha se detajet tjera se sa do të paguhen prindërit do të jepen ditëve në vijim.

Sistemi aktual i Singaporit për sa i përket bonuseve për foshnje u siguron prindërve përfitime deri në 10,000 dollarë.

Shkalla e lindshmërisë së Singaporit preku një minimum prej tetë vjetësh në 2018-n.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme