Bora që po binte, i jepte pamje edhe më të mirë fshatit Sinidoll.
Ndryshe, quhet Shpati, për shkak të relievit kodrinoro- malor.
Fshati Sinidoll, i cili i takon Komunës së Prishtinës, është fshati i vetëm në të cilin nuk ka pasur asnjë shpërngulje të banorëve. Ndërsa, në të kanë ardhur banorë nga vende të ndryshme të Kosovës.
Ndër ta, është familja e Gani Makollit, të cilët kanë ardhur nga Hertica e Podujevës, për të jetuar në këtë fshat.
Sipas kryefamiljarit, ky vend i plotëson kushtet për një jetesë të mirë.
“Ajri nuk është sikur i Hereticës, po për dallim nga qyteti është mjaft i mirë”, thotë Gani Makolli.
Shumica e banorëve të këtushëm, merren me blegtori. Sepse, kullosat e shumta që gjendën në këtë anë, ua mundësojnë atë.
“U shpërngulëm shkaku i kushteve. Jo për kushtet e jetesës, por më shumë për shkak të rrugës. Por mbase jena në Kosovë nuk jemi keq, mirë është, besa edhe fqinjët ishin të mirë”, thotë më tej i moshuari, përcjell Telegrafi.
Kodrat në këtë fshat, krijojnë rrafshnalta të shumta, duke i dhënë një formësim të bukur atij.
Sot, fshati përbëhet nga rreth 200 banorë.
Banori, Avni Pestisha, i cili është rritur në Sinidoll, ka thënë se ky vend ka një histori në vete.
“Kjo lagje daton nga viti 1878, kur të parët tonë ishin shpërngulur nga Toplica…Pas Luftës së Dytë Botërore kanë ardhur edhe fiset tjera, siç janë Gashët, Krasniqët”, deklaroi Avni Pestisha.
Lartësia mbidetare, ajri i pastër, apo vendi me një formësim karakteristik, ka thith shumë banorë, të viseve të tjera, për të jetuar atje.
“Pjesa dërmuese këtu merren me rritjen e kafshëve. Ka katër miniferma. Ka shumë pak të punësuar”, shprehet banori tjetër Avni Pestisha.
Thuhet që banorët vendas, kanë prejardhje nga Toplica, të cilët prej kohësh u vendosën për të jetuar këtu.
Sipas Gani Makollit, vendlindja nuk harrohet, por rehatia në këtë fshat, i kujton jetesën atje.