Agjencia e Statistikave të Kosovës ka thënë se, sipas të dhënave për pagën mesatare bruto dhe neto sipas sektorëve dhe aktiviteteve ekonomike në sektorin publik, atë privat dhe ndërmarrjet publike në vend, paga mesatare bruto në vitin 2019 ishte 602 euro.
Sipas ASK-së, në vitin 2012 paga mesatare në Kosovë ishte 431 euro, e që deri më 2019 do të thotë rritje prej 39.7 për qind. Paga mesatare neto më 2019 ishte 537.
Paga mesatare bruto në sektorin publik në vitin 2012 ishte 407 euro, derisa në vitin 2019 ishte 584 euro, duke u rritur për 177 euro, ose 43.5%. Derisa, paga neto nga 353 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 519 euro, një rrije prej 166 eurosh, ose 47.0%.
Sektorit privat është sektori me pagën më të ulët. Më 2019 paga mesatare bruto ishte 420 euro, që paraqet rritje prej 53 eurosh prej vitit 2012 kur mesatarja ishte 367. Në neto, më 2019 paga mesatare në sektorin privat ishte 380 euro.
Ndërmarrjet Publike kanë pagat më të larta ndër sektorët nga ku ka marrë të dhënat ASK-ja. Më 2019, paga mesatare bruto ishte 801 euro, për 283 më e lartë se më 2012. Paga neto është rritur në ndërmarrjet publike nga 465 euro më 2012 në 707 më 2019, apo 52 për qind.
Paga mesatare bruto në vitin 2019 sipas aktiviteteve ekonomike, më e lartë ishte te: furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar (923 euro); informimi dhe komunikimi (797 euro); dhe xehëtaria dhe gurëthyesit (657 euro). Derisa, paga më e ulët ishte te akomodimi dhe aktivitetet e shërbimeve me ushqim (256 euro).