Bekim Çollaku, shef i kabinetit dhe këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se vazhdimi i dialogut teknik, nën ombrellën e Bashkimit Evropian nuk është në interesin e Kosovës.
Synim i dialogut, si ka shkruar ai në Twitter në anglisht, “duhet të jetë një marrëveshje përfundimtare politike me njohje reciproke”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq janë takuar të enjten në Bruksel, në vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ky takim Kosovë-Serbi ka qenë i pari pas 20 muajsh.
“Vazhdimi i dialogut teknik, të udhëhequr nga BE-ja, nuk është në interesin e Kosovës. Ai është i dizajnuar të justifikojë kapituj të ri për anëtarësimin e Serbisë, duke e lënë Kosovën të ngujuar në status-quonë aktuale. Synimi duhet të jetë një marrëveshje përfundimtare politike me njohje reciproke”, ka shkruar Çollaku.
Kritika rreth takimit ka pasur të shtunën edhe Partia Demokratike e Kosovës. Gjatë një konference shtypi, Enver Hoxhaj i PDK-së e ka quajtur takimin Hoti-Vuçiq të nxituar, ndërkaq Hotin të papërgatitur.