Jashtëligjshëm është liruar nga akuzat për korrupsion ish-drejtori i Krimeve Ekonomike, Emin Beqiri. Pasi Beqirin e kanë liruar nga akuzat dy shkallët e gjyqësorit, Themelorja dhe Apeli, Gjykata Supreme ka konsideruar që kolegji i gjyqtarëve të Apelit kanë vendosur jashtëligjshëm në favor të Beqirit.
Nga tri burime të ndryshme brenda Gjykatës Supreme, gazeta e ka konfirmuar se javën e kaluar kjo gjykatë ka marrë vendim në lidhje me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë që Prokuroria e Shtetit pati bërë për të atakuar vendimin e Gjykatës së Apelit, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Gjykata Supreme e ka konsideruar të bazuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të paraqitur nga Prokuroria e Shtetit. Gjykata ka konstatuar shkeljen e ligjit që e ka bërë kolegjiumi i gjyqtarëve në favor të të akuzuarit Emin Beqiri”, ka thënë një burim i gazetës në Gjykatën Supreme.
Zyrtarisht ky institucion nuk e ka komentuar vendimin e Gjykatës Supreme. Gazeta ka tentuar të flasë me kryetarin e kësaj gjykate, Enver Peci. Ai ka pranuar se vendimi është marrë, por ka thënë se ende nuk është shtypur dhe nuk u është dërguar palëve, për këtë arsye nuk mund ta komentojë për momentin për media këtë çështje.