Sipërmarrësja Elizabeth Holmes, fajtore për 4 akuza për mashtrim financiar

Prishtinë | 04 Jan 2022 | 16:48 | Nga Ekonomia Online

Në një rast, që ekspozoi kulturën e arrogancës dhe publicitetit të madh në Silicon Valley, ku kanë selinë shumë kompani teknologjike në Shtetet e Bashkuara, Elizabeth Holmes, u dënua për mashtrim të investitorëve, në përpjekje për t’i bindur ata se kompania e saj e re “Theranos” kishte zhvilluar një pajisje mjekësore revolucionare, që mund të diktonte një sërë sëmundjesh dhe gjendjen shëndetësore, vetëm përmes një analize gjaku. Ajo u shpall fajtore për katër akuza dhe mund të përballet deri me 20 vjet burg për secilën prej tyre.

Një juri, pas shtatë ditë diskutimesh, e shpalli themeluesen 37-vjeçare të kompanisë “Therano”, Elizabeth Holmes fajtore për dy akuza për mashtrim financiar dhe dy akuza për komplot, për të kryer mashtrim financiar.

Analistja ligjore dhe ish-prokurorja Michele Hagan thotë se vendimi u dërgon një mesazh sipërmarrësve në Silicon Valley që pretendimet rreth produkteve dhe bizneseve të tyre duhet të jenë të vërteta.

“Është një mesazh i qartë për kompanitë në Silicon Valley ose për këdo, për çdo pronar biznesi, që bën deklarata, që janë keqinterpretime, të rreme, ose mashtruese, se ata duhet të jenë shumë të kujdesshëm për atë që u thonë njerëzve, duhet të thonë të vërtetën për produktet e tyre, në deklaratat në faqet e tyre të internetit. Mashtrimi financiar nuk është shaka dhe për këtë njerëzit mund të dënohen deri në 20 vjetë burg për çdo akuzë”, tha analistja ligjore Michele Hagan.

Gjyqi zbuloi gjithashtu atë që shumë kompani në Silicon Valley përdorin, teknikën e përcjellës së një optimizmi të pakufishëm mbi produktet e tyre, pavarësisht nëse është i bazuar në fakte apo jo.

Kjo qasje ndihmoi në krijimin e kompanive novatore si Google, Netflix, Facebook dhe Apple, kjo e fundit e bashkëthemeluar nga një prej heronjve të zonjës Holmes, sipërmarrësit të ndjerë Steve Jobs.

Dënimi i saj mund të dobësojë, të paktën përkohësisht, premtimet e forta dhe ekzagjerimet e mëdha që janë bërë rutinë në industrinë e teknologjisë.

Vendimi pasoi një gjyq tre mujor me dhjetëra dëshmitarë, duke përfshirë edhe vetë zonjën Holmes.

Ajo tani përballet me 20 vjet burg për çdo akuzë, megjithëse ekspertët ligjorë thonë se nuk ka gjasa që ajo të marrë dënimin maksimal.

“Dënimi mesatar në vitin 2020 për një akuzë të mashtrimit financiar ishte 21 muaj burg. Por në këtë rast, për shkak të shumës së madhe të parave që ajo mashtroi investitorët, duke u marrë atyre 144 milionë dollarë, ajo mund të marrë një dënim me burg shumë më të gjatë. Por, ky do të jetë vendimi i gjykatësit. Dhe nuk kam dyshim se ajo do ta apelojë atë. Ajo duhet të mbrojë të drejtat e saj dhe të sigurohet që provat të mbështesin secilin prej këtyre vendimeve. Gjyqi nuk mbaron derisa të përfundojë shqyrtimi i apelimit të vendimit”, thotë ish-prokurorja Michele Hagan.

Holmes do të vazhdojë të mbrohet në liri deri në shpalljen e dënimit nga gjykatësi, një veprim që mund të merret brenda një ose dy muajve./voa

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme