Republika Arabe e Sirisë ka njoftuar zyrtarisht njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Lajmi është bërë i ditur nga presidentja Vjosa por edhe nga një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Sirisë, pas një takimi trilateral të mbajtur në Rijad mes Sirisë, Arabisë Saudite dhe Kosovës.
“Siria e bazon këtë vendim në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”, thuhet në deklaratë.
Takimi në kryeqytetin saudit është fokusuar në thellimin e marrëdhënieve dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
Në deklaratë theksohet se është diskutuar edhe “çështja e njohjes reciproke dhe hapja e perspektivave për bashkëpunim dypalësh”.
Ministria siriane thekson se ky hap bëhet në përputhje me politikën e saj të jashtme, e cila synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit me vendet mike.
“Vendimmarrja bëhet në një mënyrë që i shërben interesave të përbashkëta dhe forcon marrëdhëniet e miqësisë mes popujve”, thuhet tutje në komunikatë.
Sirija ka falënderuar gjithashtu Arabinë Saudite për rolin në afrimin e qëndrimeve mes palëve.
“Shprehim mirënjohjen e thellë për përpjekjet e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe mbështetjen e dialogut dhe mirëkuptimit”, theksohet në deklaratë.
Damasku shprehu pritshmëritë për hapat e mëtejshëm pas njohjes së Kosovës.
“Presim me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur dhe zhvillimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor”.
بيان صادر عن وزارة الخارجية والمغتربين في الجمهورية العربية السورية pic.twitter.com/Tr62i6bSzX
— وزارة الخارجية والمغتربين السورية (@syrianmofaex) October 29, 2025