Sallës së seancave të Kuvendit të Kosovës, artisti me famë botërore, Sislej Xhafa, i ka dhënë një pamje tjetër.
Kjo pasi në vend të deputetëve kësaj here ishin të ulur audienca e performancave të tij.
Përfaqësues të institucioneve të ndryshme vendore e ndërkombëtare, artistë, e shumë të ftuar të tjerë mbushën sallën e Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
I pranishëm në këtë performancë të Xhafës ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Ai tha se performanca e Sislej Xhafës ishte e jashtëzakonshme.
Sipas tij, artistët çdo ditë e më shumë janë duke e dëshmuar se janë ambasadorët më të mirë të vendit.
Për disa minuta, performues me maska kanë ekzekutuar pikën artistike “Bilbili”.
Pas performancës, artistja Arjeta Miftari tha se është ende e emocionuar me veprën e artistit Sislej Xhafa.
Miftari tha se Xhafa përmes kësaj performance enigmatike i ka dhënë hapësirë vetë publikut që ta kuptojë atë në mënyrën e tyre.
Ekspozita “Love you without knowing” (Të dua pa e ditur), prej 5 korrikut deri më 25 gusht, do të shtrihet në Prishtinë e Pejë. E kuruar nga Jérôme Sans, ekspozita që përmban një sërë veprash të Xhafës është e para e artistit në Kosovë dhe vjen një vit pasi ai përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia me veprën “Lost and found”.
Më 28 korrik “Baseni me dymbëdhjetë ketra” është vepra që do të zërë vend te “Shtegu i shëndetit” në Pejë.