Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Prokurorial (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim ekspertët e Projektit EUKOJUST, Cristian Nicoara dhe Volkman Theobald.
Temë diskutimi në këtë takim ndërmjet bartësve të sistemit prokrurorial dhe ekspertëve ishte fillimi i zbatimi i projektit EUKOJUST, projekt ky, që ka për qëllim reformimin e sistemit të drejtësisë në linjë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Kryeprokurori Lumezi dhe Kryesuesi Hyseni kanë diskutuar së bashku me ekspertët edhe për objektivat specifike që ndërlidhen me sistemin prokurorial siç janë: fuqizimi i llogaridhënies, transparencës, profesionalizmit, kualitetit, efektivitetit, pavarësisë dhe paanësisë.
Ky projekt, përmes aktiviteteve të tij, synon të arrijë rezultate në fuqizimin e kapaciteteve të KPK-së dhe prokurorive në çështje të ndryshme, si në planifikimin strategjik, krijimin e databazës elektronike për regjistrimin e rasteve disiplinore, fuqizimin e zhvillimit të procedurave disiplinore, fuqizimin e kapaciteteve të komisionit në proceset e përformancës, specializimin e prokurorëve, zhvillimin e mëtutjeshëm të administrimit, regjistrimit, sistematizimit dhe ruajtjes së lëndëve në sistemin e arkivimin, përkrahje në mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e statistikave sa më të sakta, si dhe në përkrahjen e hartimit të akteve nënligjore të sistemit prokurorial.
Po ashtu, synohet që të përmirësohen edhe procedurat për zgjedhjen dhe avancimin e prokurorëve, koordinimin e sistemeve të teknologjisë informative, përkatësisht konsolidimin e sistemit SMIL, si dhe fuqizimin e ndërlidhjes së infrastrukturës së teknologjisë informative në sektorin e drejtësisë.
Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi dhe Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, kanë shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre institucional në zbatimin e plotë të këtij projekti, i cili do të jetë në funksion të fuqizimit dhe përmirësimit të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
Projekti EUKOJUST, i cili mbështet sistemin e drejtësisë në Kosovë, financohet nga Bashkimi Evropian, dhe implementohet nga konsorciumi mes IRZ (Gjermani), CILC (Holandë) dhe Ministria e Drejtësisë e Kroacisë. Projekti ka filluar implementimin më 1 tetor 2020 dhe do të zgjasë 40 muaj.