Sistemit të drejtësisë kosovare shumë shpejt do t’i shtohet edhe Gjykata Komerciale, ligji për themelimin e së cilës është miratuar.
Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës thonë se pas dekretimit të ligjit, gjykata do të themelohet brenda afateve të përcaktuara.
Ekspertë të ekonomisë ndërkaq pohojnë se Kosova ka nevojë për sundim të rendit dhe ligjit, çka do të ndikonte në ekonomi, megjithëkëtë, shprehen skeptik sa i përket Gjykatës Komerciale.
E shumë kërkuara nga odat ekonomike e bizneset, Gjykata Komerciale, është rrugës drejt funksionalizimit. Për krijimin e saj tashmë është miratuar edhe ligji i nevojshëm. Pas dekretimit të ligjit, nga presidentja Vjosa Osmani, i hapet rruga formimit të Gjykatës Komerciale, thotë zëdhënësja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Aishe Qorraj.
“Për shkak se ne ende nuk kemi ligjin e dekretuar nga presidentja e Kosovës, ende nuk është vendosur se kush do të jetë kryetar gjykate. Por në momentin që ligji do të kaloj, KGJK do të kujdeset që deri në emërimin e kësaj pozite, procesi të jetë i hapur, transparent e profesional”, tha ajo për Radio Kosovën.
Tutje, zëdhënësja e KGJK-së, tregoi për Radio Kosovën se në Gjykatën Komerciale do të angazhohen 44 punëtorë.
“Për gjyqtar në shkallë të parë janë 4 pozita, për gjyqtar në shkallën e dytë 5 pozita dhe të tjera janë 35 pozita. Me ligjin e buxhetin për vitin 2022, Gjykatës Komerciale i janë ndarë për paga dhe shtesa 544 mijë euro dhe për mallra dhe shërbime 293 mijë euro”, tha ajo.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se Kosova ka nevojë për sundim të rendit të ligjit, çka ndikon direkt në ekonomi. Megjithëkëtë, ai ka rezerva sa i përket rezultateve që mund te jep Gjykata Komerciale.
“Përvoja në të kaluarën lë hapësirë për të pasur skepticizëm, sepse vërtetë druaj se këto gjykata po krijohen vetëm për të arsyetuar interesat e caktuara. Kosova ka nevojë për sundim të rendit dhe ligjit dhe në këtë drejtim çdo gjykatë që do të jetë në funksion të eliminimit të barrierave është e mirëseardhur. Shpresojmë se kjo Gjykatë Komerciale do të jetë në funksion të zhvillimit dhe jo vetëm emër në sirtarët qeveritar dhe në parlament”, tha Gërxhaliu për Radio Kosovën.
Aktualisht, në Kosovë ka mijëra lëndë ekonomike të cilat presin të trajtohen në Departament për Çështje Ekonomike, që funksionon në kuadër të Gjykatës Themelore të Prishtinës. Krijimi i Gjykatës Komerciale ishte premtuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila drejton qeverinë.