Situata me zjarret në Shqipëri, Nufi: 252 efektivë të FA në terren

Prishtinë | 21 Gus 2026 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

252 efektivë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë angazhuar sot në terren, me mjete dhe kapacitete ajrore për shuarjen e zjarreve në vend. Ministri i mbrojtjes Ermal Nufi bën të ditur se gjatë natës që lamë pas, efektivët e Forcës Tokësore vijuan operacionet në Milot, Pukë dhe Vlorë, në mbështetje të komuniteteve dhe strukturave vendore.

Ndërkohë situata me zjarret në Shqipëri vijon të mbetet problematike, ku nga 9 vatra aktive gjatë ditës së sotme dy mbeten më problematike, ajo midis Gojanit dhe Gjegjanit në Pukë si dhe zjarret në malin e Dukatit në zonën e Shates.
Në Gojan të Pukës përveç forcave nga toka po operojnë edhe 3 helikopterë nga ajri, por situata vijon të mbetet problematike për shkak te terrenit dhe erës që favorizon përhapjen e flakëve, shkruan A2CNN.

Në këtë zonë janë kryer edhe evakuime të banorëve që kanë banesat pranë vatrave të zjarreve. Edhe në malin e Dukatit, flakët e nisura që mbrëmjen e së enjtes kanë përparuar drejt majës së malit. Ne këtë zone po operojnë 40 efektive në terren si dhe dy avionë air-tracktor nga ajri. Lajmi i mirë nga kjo vatër është që nuk ka rrezik për banesat. Ndërkohë në vatrat e tjera në Dajt, Milot dhe Memaliaj, situatat janë më të përmirësuara.

Të ngjashme