Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, priti sot në takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, me të cilin diskutoi për situatën aktuale politike në vend dhe zhvillimet e fundit në skenën politike.
Gjatë takimit, Abdixhiku paraqiti qëndrimin e LDK-së karshi gjendjes politike, duke theksuar nevojën urgjente për formimin e institucioneve të reja. Ai vlerësoi se zvarritja e këtij procesi po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Formimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja është domosdoshmëri. Qytetarët e Kosovës po përballen me sfida të mëdha dhe kanë nevojë për institucione funksionale, stabilitet politik dhe veprime konkrete që adresojnë problemet e tyre të përditshme”, ka thënë Abdixhiku.
Po ashtu, kryetari i LDK-së shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Kosovës, duke e vlerësuar këtë shtet si një partner të rëndësishëm në proceset kyçe të shtetndërtimit.
“Italia ka qenë dhe mbetet një mike e dëshmuar e Kosovës, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në proceset shtetndërtuese, demokratike dhe integruese të vendit tonë”, u shpreh Abdixhiku.
Ambasadori Antonini, nga ana e tij, riafirmoi përkushtimin e Italisë për të mbështetur stabilitetin politik dhe zhvillimin demokratik të Kosovës.