Xhudoja kosovare është shpesh e pranishme në mediumet ndërkombëtare sportive për shkak të rezultateve të saj. Edhe sportet e tjera individuale të vendit paraqiten në media ndërkombëtare, por më shumë për çështje politike. Ky është rast së fundi me karatenë e boksin.
Karateistët dhe boksierët kosovarë së fundi kanë përjetuar diskriminim për arsye politike. Derisa karateistët nuk u lejuan të paraqiten me simbole të shtetit në Kampionatin Botëror që të dielën përfundoi në Madrid, boksieres Donjeta Sadiku nuk po i lejohet fare hyrja në Indi për të marrë pjesë në botërorin që nis të enjten.
Komuniteti sportiv në Indi ka shprehur drojë që moslejimi i Sadikut që të marrë pjesë në botëror mund t’i kushtojë Indisë me mosorganizim të ngjarjeve të tjera sportive me peshë. Me çështjen e boksieres kosovare po merren Komiteti Olimpik i Indisë, Federata e Boksit e Indisë dhe Qeveria e këtij vendi të madh. Por deri të martën mbrëma nuk është bërë ndonjë zgjidhje për hyrjen në Indi të boksieres kosovare dhe dy përcjellësve të saj, shkruan Koha Ditore.
Kosova për shkak të telasheve që vende nëpër botë po paraqesin ndaj sportistëve të saj, po bëhet çështje globale politiko-sportive. Një vlerësim të tillë e ka dhënë presidenti i Federatës së Boksit të Indisë, Ajay Singh. Ai e ka vlerësuar çështjen e sigurimit të vizave për delegacionin kosovar si shumë të ndjeshme, ndërsa ka konfirmuar se janë në bisedime me Qeverinë e Indisë.