Situata me COVID-19 në rajonin e Tetovës vazhdon të jetë e rëndë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar dy viktima. Nga Qendra e COVID, njoftuan për një ulje të lehtë të numrit të hospitalizimeve. Mbi 100 pacientët e shtruar në këtë qendër janë me oksigjeno-terapi.
“Prej këtyre 116 të hospitalizuar, të gjithë janë të pavaksinuar vetëm 6 kemi më një dozë vaksinimi, unë apeloj tek gjithë qytetarët të vaksinohen sepse kjo është mënyrë e vetme që të mund të mbrohemi”.
Tetova, pas Shkupit, renditet e dyta në nivel vendi, si qytet më i goditur nga vala e re e COVID-19. Aktualisht janë mbi dy mijë raste aktive, kurse brenda një jave, si pasojë e komplikimeve nga koronavirusi, jetën e kanë humbur 40 pacientë.
“Interesimi i qytetarëve për të marrë vaksinë është rritur dukshëm, momentalisht ndodhemi në pikën e vaksinimit tek Muzeu i qytetit të Tetovës pikë kjo që ka kapacitet të vaksinojë deri në 500 persona brenda ditës. Megjithatë brenda dy ditëve të fundit janë dhënë mbi 1.300 doza”.
Për shkak të rritjes së interesimit për të marrë vaksinën anti-Covid, autoritetet e shëndetësisë dhe Komuna e Tetovës, kanë hapur pika të reja vaksinimi. Njëra prej tyre është në hapësirat e Muzeut të Tetovës, e cila është në funksion deri në mesnatë. Për qytetarët, në dispozicion janë vaksinat Sinovac dhe AstraZeneca./tvklan