Situatë e rënduar me reshje – Kastrati: Vërshime të tilla kishte vetëm 40 vjet më parë

Prishtinë | 11 Shk 2021 | 10:35 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Hidrologu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Bashkim Kastrati në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk pritet të ketë vërshime si ato tw javëve më parë.

Edhe pse sipas Kastratit Kosova është ballafaquar me vërshime të tilla vetëm 40 vjet më parë.

“Absolutisht nuk do të ketë vërshime sepse gjatë asaj kohe në bazë të analizave gjatë dhe pas situatës së përmbytjeve ne kemi konstatuar se gjatë asaj kohe kemi pasur një periudhë kthyese që një ngjarje e tillë është paraqitur para 40 viteve. Pra ngjarjen e fundit të tillë e kemi pasur në vitin 1979. Në bazë të të dhënave të cilat ne i posedojmë”, është shprehur ai.

Kastrati poashtu ka treguar se në disa zona si në Rrafshin e Dukagjinit për shkak të tejngopjes së tokës mund të ketë vërshime të shpejta.

“Gjatë kësaj jave ne kemi informuar opinionin se do të ketë përsëri reshje, jo të intensitetit çfarë kanë qenë javë më parë por natyrisht duke pas parasysh që toka është e ngopur e në disa zona edhe e stërngopur me ujë, akuiferet janë të mbushura edhe një sasi më e vogël mund të ndikojë që në disa zona të ketë vërshime të shpejta”.

“Ne jemi duke i përcjell nivelet nëpër lumenj të Kosovës dhe po e vërejmë se qysh prej orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme në shumicën e lumenjve të Rrafshit të Dukagjinit kemi ngritje të niveleve, por akoma janë nën kuotat që ne mendojmë se mund të paraqesin përmbytje”, ka shtuar ai.

Kurse Kastrati e ka konsideruar situatën hidrometeorologjike në vend si të rënduar, ku vetëm gjatë janarit Kosova e ka kaluar mesataren shumëvjeçare të sasisë së ujit.

“Ne qysh prej javëve të kaluara kemi pasur një situatë të rënduar meteorologjike-hidrologjike ku kemi pasur sasi jashtëzakonisht të larta të reshjeve në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Vetëm gjatë muajit janar kanë rënë mbi 200 mm që është shumë lartë mesatares shumëvjeçare për territorin e Kosovës dhe si pasojë e tyre ne kemi pasur vërshime dhe përmbytje lumore nëpër shumë pjesë të Kosovës me pasoja materiale”, ka thënë ai.

Kastrati ka treguar se Drini i Bardhë do të jetë më i ndikuar edhe për  shkak se Shqipëria e Mali i Zi po ballafaqohen këto ditë me sasi të bollshme reshjesh.

“Duke pas parasysh që gjatë këtyre ditëve vendet fqinjë si Shqipëria e Mali i Zi janë duke u ballafaquar me sasi të konsiderueshme, pra shumë të larta të reshjeve dhe sidomos pjesa veri-lindore e Shqipërisë e ne e dimë që në atë pjesë të Kosovës shtrihen Alpet gjegjësisht Bjeshkët e Nemuna ku prej asaj zone burojnë një numër i konsiderueshëm i lumenjve të Kosovës të cilat kur e kemi parasysh nivelin e lartë të reshjeve në ato zona në përgjegjësi pellgu i Drinit të Bardhë janë më të ndikuar”.

Hidrologu ka paralajmëruar edhe reshje bore gjatë mesit të këtij muaji.

“Duke pasur parasysh situatën e përgjithshme sinoptike-meteorologjike e cila është duke dominuar në kontinentin evropian, atëherë në bazë të parashikimeve besohet se kah mesi i këtij muaji do të kemi edhe reshje të borës”, ka përfunduar Kastrati për EO.

Të ngjashme