Sjellja politike e turmave të “tredhura” – sipas Teodor Adornos

Prishtinë | 10 Jan 2021 | 21:24 | Nga Artan Fuga

Si transformohet individi në turmë të bindur nën efektin e propagandës? – sipas Teodor Adornos

Propaganda e bind individin në turmë që ky i fundit të veprojë dhe sillet edhe kundër interesave të tij. E hipnotizon pra individin dhe e trajton pastaj si do në turmë.

Individi ka nevojë të identifikohet si vetja e vet.
Por, në një shoqëri në krizë, i vetmuar, i dobët, ai ndihet inferior.
Për t’i shpëtuar inferioritetit dhe shkatërrimit psikologjik identifikohet te propagandisti kryesor, pra e sheh atë sikur të ishte Babai i tij.
Në këtë mënyrë, individi në turmë, në masë, qoftë kjo masë mitingashësh, ose telespektatorë në shtëpia, ose thjesht zgjedhës, pëson një regresion psikologjik, bëhet fëmijë dhe e sheh propagandistin kryesor, si babain e vet.
Këtu i nis dashuria-bindja libidinale për udhëheqësin – propagandist, sikurse dashuria inkoshiente për Babain simbolik, nën autoritetin e të cilit në moshën e libidos orale nis të formohet si identitet.
Individi nuk sheh më interesat e tij në mënyrë të arsyeshme sepse nis t’i bllokohet arësyeja, dhe përjeton vetëm emocionalisht, psiqikisht, nisin simptomat psikopatologjike të hyjnizimit të liderit propagandistik.
Identifikimi me liderin prodhon narcizëm, narcizmin e individit në turmë që pëlqen vetëm veten e vet, dhe narcizmin e liderit që nis të identifikohet me Babain mitologjik të kohëve primitive që kastroi individin, i trodhi, dhe i bëri të binden bijtë e vet.
Instinkti i vëllezërve të tredhur që vrasin Babain, nis të kapi individn në turmë. Ai jeton nën efektin e mitit.
Idealizon objektin e dashurisë së tij që është lideri politik propagandues si Babën e vet.
Lideri bëhet edhe ai narcist sepse sheh që turma e vëllezërve të tredhur, para tij në miting, e adhuron. Këtu nis adhurimi i vetes dhe narcizmi sepse e sheh veten në pasqyrën e thirrjeve frenetike të masës të tredhur.
Lideri propagandistik, i narcizuar si baba i kombit, i turmave, e di që turmat nuk binden me argumenta, por vetëm me slogane dhe thirrje dashurie dhe ndëshkimi. Me slogane të thjeshta, budallalliqe pa kuptim. Dashuri-Ndëshkimi i të tredhurve bëhet mekanizmi i i hipnotizimit të tyre. Këta sillen si fëmijë, pësojnë regres psikologjik duke u kthyer në moshën e çilimillëkut të hershëm dhe shohin babën në sy, që është garanti i qendrimit të nënës në shtëpi. Bebja do nënën dhe turma do krodhen e bukës, do një strehë, një rrogë, një ndihmë sociale, një bursë, një shtesë rroge.

Babai u hedh diçka sa për t’i bindur se ata janë nën mbrojtjen e tij.

Turma e tredhur, e hipnotizuar, e narcizuar, e barazuar me babain lider, që idealizon objektin që ka përpara, nën mbrojtje iluzore, infantilizohet dhe në mënyrë krejt irracionale bën çfarë i kërkojnë.

Ky është thotë i madhi Teodor Adorno mekanizmi psikologjik që i bën masat të sillen si dele, si të tredhur, kastruar, para një propagande të gënjeshtër, dhe të mos arrijnë më të mendojnë më.

Ky është, thotë, ai mekanizmi i mbajtjes të pushtetit me ndihmën e masave të hipnotizuara nga propaganda! Masa e futur nën ndikimin e propagandës ka nevojë të tallet, fyhet, poshtërohet, shkruan Adorno, dhe me ndonjë krodhe të hedhur t’i simbolizohet mbrojtja nga babai i hordhisë arkaike.

Turma nis të jetë narciste dhe do cdokënd që është në anën e vet, dhe sulmon, përjashton, godet të gjithë të tjerët. Sjellje narciste violente.

Kjo është teza e Teodor Adornos!

Individualizim
Identifikim
Projektim
Regresion
Idealizim
Narcizëm
Hipnotizim
Përjashtim
Histeri

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme