Vetëm 8 subjekte politike kanë aplikuar deri më tani për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vjeshtës. Data e fundit për dorëzimin e aplikimit dhe listës së kandidatëve është 16 gushti dhe sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nuk do të ketë afat shtesë, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Ekonomia Online se kanë aplikuar 5 iniciativa qytetare, 2 kandidatë të pavarur dhe 1 parti politike. Sipas tij, asnjëra nga këto subjekte nuk është parti parlamentare.
Ndërkaq, i pyetur lidhur me mundësinë që KQZ-ja të zgjasë afatin e aplikimit, Elezi ka thënë se afati i vendosur nga KQZ-ja është mbështetur ne ligj dhe si i tillë nuk mund të ndryshohet.
“Deri më 16 gusht Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë aplikimet nga ana e subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e vjeshtës. Ne jemi në zgjedhje të rregullta, pra edhe afatet të cilat janë vendosur nga KQZ-ja janë të mbështetura në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligjin për zgjedhjet lokale, prandaj, nuk ekziston mundësia për të pasur një afat shtesë sa i përket kohës së kur subjektet politike duhet të dorëzojnë aplikimet e tyre”, tha Elezi.
Gjithashtu, Elezi bëri të ditur se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bëjë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në bashkëpunim me institucionet tjera, varësisht nga fusha e përgjegjësisë që mbulojnë ato.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për të bërë verifikimin e kandidatëve që garojnë në zgjedhje, do të bashkëpunojë me institucione të ndryshme, pra me qëllim të verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të bashkëpunojë me PZAP-in, KGJK-në, Ministrinë e Jashtme, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes, AKI-në dhe Doganat e Kosovës, pra për t’i pyetur këto institucione, nëse personat të cilët janë paraqitur nga ana e subjekteve politike për t’u certifikuar janë në përputhje me Nenin 29, varësisht se cila fushë e përgjegjësisë mbulohet nga këto instituicone”, tha Elezi.
Në anën tjetër, KQZ-ja është duke vazhduar të pranojë aplikimet për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës.
Sipas të dhënave të KQZ-së, deri të premten janë pranuar 2,646 aplikime, prej tyre janë aprovuar 2,461 ndërsa 185 të tjera jo, sepse nuk kanë përmbushur kriteret ligjore. Afati për regjistrim përfundon më 18 gusht.
“KQZ-ja është duke vazhduar të presë aplikimet për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Afati i fundit i vendosur nga ana e KQZ-së është data 18 gusht. Pra, deri në këtë kohë ne jemi duke pritur aplikimet për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe siç dihet të gjithë ata qytetarë të cilët arrijnë të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës do të mundet të votojnë përmes postës në një fazë të mëvonshme e cila fillon më 15 shtator, ndërsa fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja deri më datë 15 tetor”, tha Elezi.