Përplasja ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Kinës po bëhet gjithmonë e më e qartë. Vizita e numrit dy të qeverisë kineze në Uashington për të diskutuar mbi konfliktin tregtar, u anulua. Shkak i ngrirjes së bisedimeve nga ana e Kinës janë tarifat e reja doganore ndëshkuese të ShBA-së.
The Wall Street Journal, thotë se përveç vizitës së Liu He, të planifikuar për javën e ardhshme, është pezulluar edhe dërgimi i një delegacioni të nivelit të mesëm, i cili duhej të mbërrinte përpara zëvendëskryeministrit kinez.
Qarqet qeveritare amerikane pohojnë se nuk ka asnjë datë të përcaktuar për bisedime të reja. Ajo që habit është fakti se Shtetet e Bashkuara shprehen optimiste në gjetjen e një rrugëzgjidhjeje të përplasjes tregtare, ndërkohë që negociatat e mesit të gushtit në Uashington nuk prodhuan asnjë rezultat dhe Donald Trump kërcënon të vendosë edhe tarifa të tjera shtesë.
Këtë fillimjave, shefi i Shtëpisë së Bardhë njoftoi një raund të ri detyrimesh doganore dhe qeveria kineze reagoi menjëherë duke paralajmëruar se do të përgjigjej me të njëjtën monedhe. Që nga fillimi i korrikut, dy ekonomitë më të mëdha të botës, kanë vendosur reciprokisht dogana ndëshkuese në vlerë prej 100 miliardë dollarësh.
OBT-ja ka caktuar një arbitër për të shqyrtuar kërkesën e Kinës për vendosjen e sanksioneve tregtare vjetore me vlerë 7 miliardë dollarë amerikanë ndaj produkteve të ShBA-së.