Kanë kaluar pothuajse dy vite nga fillimi i punimeve për revitalizimin e urës së Ibrit në Mitrovicë, në bazë të marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe ndonëse procesi thuhet se është në përfundim e sipër ende nuk ka datë të saktë se kur do të bëhet përurimi.
Ministrja për Dialog, Edita Tahiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se procesi i revitalizimit të Urës së Ibrit dhe hapja e saj tashmë është në përfundim e sipër.
Sipas saj, lirimi i urës së Ibrit prej barrikadave dhe pengesat tjera janë hequr.
“Kjo është rezultat i dialogut të Brukselit. Punimet janë bërë nga Bashkimi Evropian përmes kontraktorit të tyre në bazë të disa ideve. Hapja e saj do të bëhet me një ceremoni ku pritet të marrin pjesë dhe personalitet të larta të Bashkimit Evropian dhe Kosovës. Prandaj, besoj që BE-ja është duke punuar agjendën se kur do të ndodh hapja”, ka thënë Tahiri.
Ministrja Tahiri, po ashtu tha se përfundimi i revitalizimit të urës së Ibrit është rezultat i dialogut të Brukselit.
“Kjo çështje është e përfunduar dhe besoj që dialogu i Brukselit në mesin e shumë rezultateve ka pas rezultat kryesore bashkimin e qytetit të Mitrovicës, i cili ka qenë i ndarë që nga përfundimi i luftës. Ende nuk ka një datë saktë”, shtoi tutje Tahiri.