Presidenti i deritashëm i Polonisë, Andzrej Duda, ka fituar më së shumti vota nga 11 kandidatët që morën pjesë në zgjedhjet presidenciale të së dielës, bazuar në numërimin e shumicës së votave. Megjithatë, ai ka marrë më pak se 50 për qind të përkrahjes dhe vendi do të shkojë në balotazh.
Duda, i përkrahur nga partia në pushtet, Ligj dhe Drejtësi, i ka marrë 45.73 për qind të votave, sipas rezultatit që është nxjerrë nga numërimi i 82.2 për qind të kutive të votimit. Në vendin e dytë është kryetari liberal i Varshavës, Rafal Trzaskoëski, i cili i ka fituar 28.51 për qind të votave, shkruan “The Guardian”.
Sipas këtij rezultati, Duda dhe Trzaskoëski do të përballem me njëri-tjetrin në rundin e dytë të zgjedhjeve, që është caktuar për datën 12 korrik, ku pritet të vendoset për të ardhmen politike të shtetit të Evropës Qendrore. Rezultati përfundimtar i rundit të parë do të shpallet zyrtarisht të mërkurën.
Duda dhe partia që e përkah atë, “Ligj dhe Drejtësi”, janë në pushtet nga viti 2015. Pushteti në Poloni ka nxitur tensione me Bashkimin Evropian dhe protesta të përsëritura brenda vendit për shkak të ligjeve kundërthënëse që i japin partisë në pushtet kontroll ndaj gjykatave më të larta dhe organeve kyçe të sistemit të drejtësisë.
Bashkimi Evropian i ka dënuar këto ligje dhe i ka cilësuar si shkelje e standardeve të demokracisë. Grupi “Freedom House” me bazë në Shtetet e Bashkuara e ka zhvendosur Poloninë nga lista e vendeve me demokraci të konsoliduar në grupin e vendeve me demokraci pjesërisht të konsoliduar.