Kryeparlamentari Kadri Veseli bëri të ditur se në orën 19:30 pritet të mbahet seanca e jashtëzakonshme e ftuar nga deputetët e opozitës, ku pritet që të votohet një rezolutë që i ndalon presidentit Hashim Thaçi që në dialogun e Brukselit të diskutojë për korrigjimin e kufijve, raporton Ekonomia Online.
“Tani ne do të respektojmë të gjitha procedurat, në këto rrethana seancën e radhës të jashtëzakonshme do ta vazhdojmë në ora 19 e 30”.
Veseli në vazhdimin e seancës së thirrur nga kryeministri Ramush Haradinaj, për votimin e ekipit neogciator me Serbinë, shtoi se për në sallë nuk ka kuorum për të hedhur këtë propozim në votim.
“Debati ka përfunduar kemi qenë në fazën e votimit. Për votim nuk kemi kuorum, për këtë arsye ne duhet të mendojmë që vazhdimi i seancës të jetë kur të kemi kuorum. Kemi pas kërkesë për seancë të jashtëzakonshëm poashtu nga kolegët e opozitës”.
Presidenti Thaçi do të takohet me homologun serb, Aleksandar Vuçiq, më 7 shtator.
Sot gjatë ditës, Thaçi ka përsëritur edhe një herë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por që kërkesa e Luginës për t’u bashkuar me Kosovën është legjitime.