Ndeshjet e mbetura dy garat kryesore evropiane, në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, nuk do të zhvillohen pa përfunduar të gjitha kampionatet vendore në gjithë kontinentin, sipas anëtares së Këshillit të FIFA-s, Evelina Christillin.
Të gjitha sportet janë pezulluar para gati një muaji për shkak të pandemisë koronavirus dhe ende nuk është e qartë se kur do të rinisë sezoni 2019/20.
Raportohet se së pari do të kompletohen kampionatet vendore në të gjitha vendet, e pastaj Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës, në një format ku ndeshjet do të luheshin në terren neutral dhe me vetëm një takim dhe jo dy të ndërsjella.
“Shëndeti dhe siguria vijnë së pari dhe janë më të rëndësishmet. Pesë ligat kryesore dëshirojnë t’i përfundojnë sezonet e veta përkatëse, por askush nuk dëshiron të vendosë pa pëlqimin e qeverisë dhe autoriteteve lokale”, tha Christillin.
Disa klube kanë tentuar t’i rinisin stërvitjet, por janë ndaluar nga vendimet qeveritare, si në Itali për shembull, ku lojtarët nuk mund të thirren për të stërvitur të paktën deri më 4 maj.
Shumica e ligave pritet t’i rinisin sezonet në muajin maj. Në Itali thuhet se sezoni do të rifillojë më 31 maj dhe ndeshjet do të zhvillohet çdo tri ditë për ta përmbyllur sezonin më 12 korrik.
Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës pastaj mund të kompletohen kah mesi i gushtit.
“Jemi duke punuar me ECA dhe UEFA. Prioritet është shëndeti, pastaj rinisja e sezonit dhe përmbyllja e tij me garat evropiane në gusht”, shtoi ajo