Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj fenomenit të zaptimit të hapësirave publike dhe dhënies së lejeve me shkelje, duke njoftuar reformë të re ligjore për kontrollin e territorit.
Në një postim në “X”, Rama thotë se “toleranca ndaj tokave të zëna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të marrë fund”.Më tej, numri një i kabinetit, thekson se ka nisur puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pijshëm, të sistemit të pastrimit, të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor. Këto të fundit, sipas Ramës, do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt, për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian
Kujtojmë se që në nisje të këtij muaji, Rama ka paralajmëruar bizneset për rikthimin e hapësirave që janë zaptuar duke penguar kështu jetën e qytetarëve. Përndryshe do të përballen me gjoba, shembje të menjëhershme, gjykime administrative dhe penale për “krim mjedisor dhe dëmtim të pronës publike”.