Kohëve të fundit në qytetin e Prishtinës, në shesh por edhe në rrugët e qytetit, lëvizjet me trotinete elektrike janë bërë të shpeshta.
Këto lëvizje të shpeshta dhe me shpejtësi të madhe, kanë ngjallur pakënaqësi tek qytetarët të cilët kanë kritikuar personat që lëvizin me trotinetë elektrike, duke bërë edhe kërkesa që ky problem të zgjidhet, shkruan lajmi.net.
Por, përveç pakënaqësisë, lëvizjet me trotinete kanë shkaktuar edhe aksidente duke lënë persona të shumtë të lënduar.
Vetëm gjatë ditë së djeshme, siç është njoftuar, disa të rinj, kanë pësuar lëndime të shumta dhe serioze. Një 19 -vjeçar, siç njoftohet ka pësuar lëndime të rënda në kokë, një 7 vjeçar i cili ka qenë duke lëvizur me trotinet është goditur nga vetura, po ashtu edhe një 4 vjeçar si pasojë e rrëzimit nga trotineti ka pësuar lëndime-shqyerje të veshit.
Pikërisht rreth kësaj, lajmi.net ka kontaktuar nënkryetarin e komunës së Prishtinës, Alban Zogajn.
Zogaj, i pyetur rreth kësaj problematike tashmë shqetësuese dhe mundësisë së zgjidhjes së këtij problemi nga ana e komunës së Prishtinës, ka thënë se tashmë është punuar në rregulloren që çon drejt zgjidhjes.
“Kemi punu në Rregulloren për E-Trotinetet, do të jetë në diskutim publik nga muaji i ardhshëm. Dhe do të votohet në mbledhjen e radhës”, ka thënë Zogaj.
Për “vërshimin” që lëvizjet me trotinete ia kanë bërë Prishtinës, janë bërë thirrje të shumta që të shtohet kujdesi në mënyrë që të mos ketë pasoja në njerëz. Sidomos në pjesën e sheshit, e cila përveç nga të rritur frekuentohet në masë të madhe edhe nga fëmijët.