Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, njëherësh kandidati për kryeministër nga radhët e kësaj partie, ditë më parë ka prezantuar planin e tij kundër korrupsionit dhe hapat për realizimin e këtij plani.
Plan ky i cili sipas kësaj partie do të ketë strukturë të posaçme që do të ndërtohet në partneritet të ngushtë me partnerët perëndimorë, konkretisht ShBA-në dhe BE-në.
Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së dhe këshilltari i Kadri Veselit, Blerim Latifit, tha në një intervistë për Ekonomia Online, se ky plan është i cili do t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që abuzojnë me institucionet publike.
“Byroja anti-korrupsion i cili do formohet në kuadër të institucioneve shtetërore i cili do ta ketë në fokus të tij orientimin, gjurmimin dhe luftimin e dukurive të korrupsionit në institucionet publike, ky mekanizëm nuk është një mekanizëm paralel në raport me mekanizmat e tjerë të ligjit, por do jetë një mekanizëm shtesë që do i mbështesë mekanizmat tjerë në kuadër të shtetit që kanë për funksion t’i luftojnë dhe parandalojnë dhe t’i sjellin para drejtësisë të gjithë ata të cilët marrin guximin të abuzojnë me institucionet publike”.
Latifti shprehet se krijimi i Komisionit Parlamentar kundër-korrupsion, do t’i mundësojë Kuvendit të që ta përcjellë punën e mekanizmave të tjerë që janë të angazhuar për luftimin e kësaj dukurie.
Ai e sheh me skepticizëm përfshirjen e opozitës së ardhshme në këtë komision, por i fton ata të jenë pjesë e këtij procesi.
“Komisioni parlamentar kundër-korrupsionit do jetë një komision i përhershëm i Kuvendit që do ta monitoroj dhe do asistojë në të gjitha këto procese të luftës sistematike të organizuar të Kosovës kundër këtyre dukurive abuzuese, i vetmi komision parlamentar që ia mundëson Kuvendit të Kosovës që në mënyrë permanente ta përcjellë punën e mekanizmave të tjerë që janë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit”.
“Unë konsideroj që opozita e ardhshme nuk do jetë një opozitë që do ta kundërshtojë luftën kundër korrupsionit, luftën kundër korrupsionit e kundërshtojnë vetëm të korruptuarit dhe abuzuesit, nëse opozita e ardhshme do ta kundërshtojë luftën kundër korrupsionit ajo do bëhet avokate e korrupsionit, unë konsideroj që ata nuk do ta marrin këtë pozicion, ata do të bashkëpunojnë dhe me që ne jemi në demokraci duhet të dimë që opozita është pjesë e pashmangshme e procesit politik në demokraci dhe si të tillë ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes. Konsideroj që opozita do jetë e arsyeshme dhe do i bashkëngjitet këtij procesi jetik për të ardhmen e shtetit të Kosovës”, u shpreh Latifi.
Një plan tjetër i Veselit, është edhe nxjerrja e një ligji të posaçëm për nepotizmin, ligj ky i cili sipas Latifit Kosova ia ka pas nevojën shumë më herët, ai thotë se ky ligj është një ligj krucial që është në funksion të idesë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të besojnë në shtetin e Kosovës.
“Ligji kundër nepotizmit është i nevojshëm pasi ai është një fenomen që bie në kundërshtim me ligjet themelore të këtij shteti, ligjet themelore. Nepotizmi në këtë kuptim është shkelje e kushtetutës sepse nepotizmi do thotë që një person publik i favorizon njerëzit me të cilët ai ka lidhje farefisnore dhe institucionale. Nepotizmi e ka krijuar idenë që shteti i Kosovës është një shtet që i shërben një grupi të caktuar të individëve, ne përfundimisht kemi nevojë për këtë ligj, jo vetëm për respektimin e kushtetutës por ruajtjen dhe mbajtjen gjallë të shpresës se në këtë vend mund të jetosh me punën tënde dhe kualitetet tua, pa pas nevojë me iu lutë dikujt për një vend pune, ky është një ligj krucial që është në funksion të idesë që qytetarët e Kosovës të vazhdojnë të besojnë në shtetin e Kosovës dhe që në këtë vend mund të krijojnë jetë të mirë dhe të sigurt për të gjithë”.
Për ish-kryetarin e Agjencisë Anti-Korrupsion, Hasan Preteni, nxjerrja e ligjeve të reja, krijimi i byrove anti-korrupsion dhe Komisioneve Parlamentare për këtë proces, janë të panevojshme dhe ndërhyjnë drejtpërdrejtë në punën e aktorëve kryesorë që merren me këto çështje.
“Është hipokrizia e radhës pasi është po ai i njëjti lider që dy mandate dhe kishte mundësi sa ishte kryetar kuvendi deri më tani ti bënte këto lëvizje, deri më tani nuk ka bërë asnjë lëvizje në asnjë drejtim në aspektin legjislativ kujtoj që ligji për deklarime dhe kontrollin e pasurisë obligon Kuvendin që të formojë një komision parlamentar për mbikëqyrjen e agjencisë kundër korrupsionit dhe kuvendi këtë nuk e ka bërë qe shtatë vite përkundrazi e kanë fuzionuar atë detyrë, është dashtë të formohet një komision i veçantë për me mbikëqyrë agjencinë”.
“Me ligje me institucione të reja nuk luftohet korrupsioni, Kosova i ka të gjitha institucionet, i ka të gjitha ligjet, ne kemi vetëm mungesë të vullnetit politik dhe ky vullnet politik të reflekton në bazë të asaj që mos te pengon pushtetin e tretë, prokurorinë dhe gjykatat dhe mos ti pengon institucionet e pavarura të realizojnë punën e tyre. Korrupsioni nuk luftohet me komisione, parlamenti i ka dy misione primare, nxjerrjen e ligjit dhe mbikëqyrjen parlamentare, jemi që 12 vjet shtet dhe askush se ka pa kryeprokurorin e shtetit duke raportuar në Kuvend”, tha Preteni.
Preteni shprehet Kosova i ka ligjet ekzistuese për të gjitha këto dukuri, por sipas tij ajo që mjafton është që prokurorët dhe gjyqtarët ti kenë duart e lira dhe ta kryejnë punën e tyre pa u penguar nga askush, raporton EO.
“Nuk ka nevojë për byroja të reja, e formuan këshillin kombëtarë të korrupsionit dhe nuk vazhduan punën e tij edhe pse ishte si ide e mirë, i kemi të gjitha institucionet, i kemi gjykatat i kemi prokuroritë, kemi policinë hetuese, është formuar edhe prokuroria speciale që ka për mision vetëm luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mjafton ajo prokurori të i ketë duart e lira dhe mos përzierje dhe mos shantazhin të titullarëve të këtyre prokurorive dhe mekanizmave tjerë anti-korrupsion, le të kërkohet rezultat nga këto institucione ekzistuese dhe asgjë më shumë, ne i kemi ligjet por nuk kemi vullnet politik me i përkrahë këto institucione dhe mos t’i pengon ato”, u shpreh Preteni.
Ndryshe Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Kadri Veseli ditë më parë ka kërkuar nga subjektet partiake dhe qytetarët ta nënshkruajnë Paktin kundër Korrupsionit.