As në përpjekjen e 41-të, deputetët nuk e konstituan Kuvendin e Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
Edhe më tej nuk ka pajtueshmëri midis Lëvizjes Vetëvendosje në njërën anë dhe partive të tjera në anën tjetër, për formimin e një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Seanca zgjati sërish vetëm pak minuta dhe kryesuesi i seancës , Avni Dehari, i ftoi deputetët të mblidhen sërish pas 48 orësh, të shtunën, më 5 korrik.
Afati kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i riinterpretuar nga Gjykata Kushtetuese, përfundon në pjesën e fundit të korrikut.
Murati: Shpresoj se opozita do të reflektojë dhe të konstituohet Kuvendi
Ministri në detyrë dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Hekuran Murati pret reflektim të partive opozitare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, raporton Ekonomia Online.
“Shpresoj se pas takimeve të udhëheqësve të opozitës me presidenten dje, të kenë reflektuar dhe ta marrin parasysh seriozitetin e situatës që Kuvendi të konstituohet, të themelohen institucionet e reja dhe të vazhdojë qeverisja e vendit.
Ne kemi Qeveri në detyrë. Problemi është që nuk kemi Kuvend të konstituar dhe kësisoj ka mangësi dhe mungesa që dita – ditës po vërehen, duke filluar nga marrëveshjet ndërkombëtare që nuk janë ratifikuar vitin e kaluar, pastaj me Planin e Rritjes të BE-së, i cili pret nënshkrim dhe ratifikim këtë vit.
Për më tepër, ka edhe institucione të tjera, siç është Televizioni publik, për të cilin miratimi i buxhetit duhet të bëhet nga Komisioni për Buxhet si dhe situata të tjera, të cilat kërkojnë rishikimin e buxhetit. Të gjitha këto mbeten peng konstituimit të Kuvendit”, tha Murati.
Krasniqi: PDK-ja sot dorëzon rast të ri në Kushtetuese
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi paralajmëroi se sot PDK-ja do të dorëzojë rast të ri në Gjykatën Kushtetuese, raporton Ekonomia Online.
“Pasi kanë ndodhur edhe tri shkelje kushtetuese radhazi, sot PDK-ka do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese një rast të ri, për të cilin shpresojmë që do të trajtohet me urgjencë, meqenëse i kemi vetëm edhe 23 ditë për konstituimin e Kuvendit.
Janë 23 ditë që i kanë mbetur Albin Kurtit që të tërhiqet nga pengmarrja e shtetit dhe ta ndryshojë propozimin e tij dhe të kthehet në normalitetin e rrjedhjes së seancës”, tha Krasniqi.
Abdixhiku: Askush s’ka të drejtë të ndryshojë rendin e ditës, vepër penale
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas ndërprerjes së seancës nga ana e kryesuesit Avni Dehari, tha se qëndruan në sallë për të folur, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
“Sot, qëndruam në sallë. Deputetja Bajrami mbajti fjalë. Kjo fjalë s’mund t’i ndalej, siç ju ndal deputetit Zogaj. Le të jetë një fillim i diskutimeve parlamentare pas uzurpimit antikushtetues që po i bën Kuvendit partia e parë. Ata le të ikin, ne le të flasim”, tha ai.
Abdixhiku tha se sot ishte hera e 41-të me radhë që partia e parë nuk arrin të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese që ka për ta krijuar shumicën parlamentare.
“Sot, sërish, partia e parë vendosi me plot arrogancë të injorojë rendin e ditës. Atë rend dite që e kishim dakorduar paraprakisht të gjithë ne bashkë; në takimin e parë institucional. E kishim dakorduar ne, të gjitha partitë politike, në takimin me z.Konjufca – kryetarin paraprak të legjislaturës paraprake.
Rendi i ditës u ndryshua; kokë në veti pas shtatë seancave. Askush nuk e ka këtë të drejtë; aq më pak një ‘më i moshuar’ mes 120 deputetëve të zgjedhur në vend”, tha ai.
Kreu i LDK-së tha se kjo pengesë parlamentare tashmë është dhe jokushtetuese dhe përsëriti se është përmbysje e rendit kushtetues “me vetëdije e qëllim.
Pra është dhe vepër penale për të cilën do të ketë përgjegjësi një ditë. Dhe derisa partia e parë ka kapur një ulëse, ajo s’mund të kapë Kuvendin. Le të vijnë e ikin. Ne le të flasim. Para shumicës qytetare në vend. T’i shtrojmë të gjitha çështjet që pas perdeve të krizave po marrin peng të ardhmen e vendit”, tha ai.
Haradinaj: Kurti ka vendosur t’i harxhojë këto 30 ditë
Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kritikoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti për mungesën e veprimeve konkrete në krijimin e shumicës parlamentare, raporton Ekonomia Online.
“Nëse Kurti i bën 61 veta të zgjedhë kryetarin. Nëse nuk i bën ai na harxhon 30 ditë, na mban peng.
Po shihet se ai ka vendos me i harxhu këto 30 ditë pa e krijuar shumicën”, tha Haradinaj.