Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka bërë asnjë hap përpara. Edhe takimi i fundit mes dy palëve, ndonëse tashmë ishin përcaktuar se mbi çfarë do të diskutohej nuk prodhoi asgjë.
Sipas kryenegociatorit të palës kosovare, Skënder Hyseni, i cili ndodhet në Bruksel, pritet që bisedimet të jenë më të frytshme pas periudhës festive.
Ndërkohë që mjaft i rëndësishëm është fakti se palët e kanë përcaktuar axhendën e diskutimeve dhe nuk do të devijojnë nga marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.
Hyseni deklaroi se për çështjen e të pagjeturve, ka një marrëveshje mes dy institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, për të vijuar me kërkimet.
Ai theksoi se deri më tani ka pasur asnjë diskutim për asosacionin.
“Sot përkundër përpjekjeve shumë serioze të delegacionit të Kosovës, për të vazhduar trajtimet e temave të kadastrës dhe pensioneve, në kuadër të temës te pretendimeve financiare dhe të pronës, nuk është arritur ndonjë përparim, ende qëndrimet janë larg njëra tjetër. Nuk ka ndonjë përafrim nga takimi i fundit më 29 nëntor. Edhe sot pothuaj, kemi mbetur në pozicione të njëjta. Palët dhe ndërmjetësi janë dakorduar, rreth këtyre elementëve specifikë të marrëveshjes së përgjithshme të vazhdojnë bisedimet pas vitit të ri. Asosacioni nuk është diskutuar deri më tani. Të pagjeturit kanë një marrëveshje paraprake, institucionet në të dyja vendet të bashkëpunojnë në zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, u shpreh ai.
Hyseni theksoi më tej se Kosova do të ketë sërish përkrahjen amerikane.
“Unë isha në SHBA, tani pas zgjedhjeve dhe bisedat e shumta që i kam pasur me të dyja kampet, Kosova sigurohet që përkrahja amerikane do të jetë e fuqishme”, përfundoi ai.