Qindra futbollistë nuk do të përfitojnë thuajse asgjë nga mundësia e tërheqjes së 10-përqindëshit të kontributeve të tyre në Trustin Pensional, pavarësisht se luajnë futboll për klubet kosovare qe 15 apo 20 vjet. Gazeta Express sjell rrëfime të futbollistëve të cilët nuk do të mundë t’i tërheqin më shumë se 35 euro. Njëri nga ta thotë se s’ka pse del në pension pasi që nuk i janë paguar kontributet në Trust. Dhe thotë se lëndimet nga futbolli në karrierën e tij 20-vjeçare mund ta bëjnë nevojtar për pension invalidor. Express sjell “dallaveret” që bëhen qe dy dekada në futbollin e Kosovës, në të cilin gjithnjë ka pasur edhe shmangie të tatimeve. Edhe sot klubet i bëjnë nga dy kontrata me futbollistë: Njërën për ta deklaruar, kurse tjetrën e fshehin.
E premtja po mirëpritet te një pjesë e madhe e qytetarëve të Kosovës të cilët, do të aplikojnë në Trustin Pensional për tërheqjen e 10-përqindëshit të kontributeve të tyre pensionale që ua mundëson Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Por, kësaj mundësie nuk do t’i gëzohet një komunitet i shoqërisë kosovare. Bëhet fjalë për qindra futbollistë kosovarë, të cilët padrejtësisht nuk do të përfitojnë thuajse asgjë në këtë kohë të rëndë ekonomike të shkaktuar nga pandemia e COVID-19.
Njëri ndër ta është futbollisti shumë i njohur në futbollin e Kosovës, Robert Gjeraj. Mbrojtësi prizrenas është në fund të karrierës. Ai luan futboll për klube të ndryshme të Kosovës qe 20 vjet. Por, qe dy dekada atij nuk i janë paguar kontributet në Trustin Pensional. Kështu që Gjeraj nuk do të mund t’i tërheqë më shumë se 150 euro nga Trusti në këtë kohë krize ekonomike në vend.
“Luaj futboll qysh prej vitit 2000. Para tri ditësh e shikova gjendjen e kontributeve të mia në Trust. I kisha vetëm 1500 euro të paguara kontribute dhe 300 euro të tjera ishin të raportuara, jo të paguara. Kjo sinqerisht është e tmerrshme, është shumë-shumë dëshpëruese”, thotë Gjeraj në një bisedë me Gazetën Express.
“Mendova të bëj kërkesë për t’i tërhequr të gjitha nëse është e mundur sepse unë nuk kam pse të pres pension normal. Nuk kam kur më ta përmbush atë kriterin prej 15 vjetësh për të marrë pension. Unë dhe shumë futbollistë tjerë të gjeneratës sime më përpara do të marrim pension invalidor sepse jemi bërë “llome” nga lëndimet në futboll qe 20 vjet. Edhe nëse nuk mbesim në karroca jemi shkatërruar psiqikisht në këtë futboll”, vazhdon Gjeraj rrëfimin e tij me plot i dëshpërim.
Por, Gjeraj mund të gjejë “ngushëllim” te fakti se ka edhe më keq se ai. Burim Sadiku, i cili para pak kohësh u pensionua nga futbolli aktiv, nuk do të mund t’i tërheqë më shumë se 35 euro nga Trusti Pensional.
“E kam shikuar gjendjen time në Trust. Mund të duket e pabesueshme, por është e vërtetë: Në 15 vjet karrierë aktive më janë paguar vetëm 350 euro kontribute. Ky është realiteti i hidhur i imi”, thekson ish-portieri i njohur vushtrrias, i cili gjatë karrierës i mbrojti ngjyrat e disa klubeve, por ato nuk ia paguan djersën e derdhur.
Hiç më mirë sesa Gjeraj dhe Sadiku nuk i kanë punët as shumë futbollistë, trajnerë dhe punonjës tjerë të klubeve të futbollit në Kosovës.
Krejt kjo si pasojë që në futbollin kosovar që nga paslufta veprimtaritë janë zhvilluar “paushall”, pa letra, pa përpjekje të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për të vendosur rregull dhe pa mbikëqyrje të shtetit që nuk ka zbatuar ligj në futboll.
Klubet u janë shmangur detyrimeve ligjore prej vitesh. Atyre tashmë u janë ndërruar shumë kryesi. Dhe, kur pyeten sot se pse nuk i kanë kryer obligimet ligjore, secila kryesi ia hedh fajin kryesisë paraardhëse.
Njohësi i çështjeve ekonomike, kryeredaktori i “FrontOnline”, Lavdim Hamidi, çuditet se si instucionet relevante kanë lejuar shkelje ligjore në futboll prej kaq shumë vitesh.
“Secilit të punësuar apo të angazhuar duhet t’u paguhen kontributet në Trustin Pensional. Mospagesa nënkupton shkelje ligjore dhe në këso raste domosdoshmërisht duhet të ndërhyjnë Administrata Tatimore e Kosovës dhe Inspektorati i Punës”, thotë Hamidi për Express.
Mosrespektimi i ligjeve dhe “dallaveret” në futbollin e Kosovës janë të shumta. Prej tyre kryesisht të “mëdhenjtë” kanë përfituar, kurse futbollistët i vuajnë pasojat…
Para “kesh”, rroga në dorë!
Në futbollin e Kosovës futbollistët prej vitesh nuk paguheshin për 12 muaj të një viti kalendarik, por vetëm për 8 apo 9 muaj sa zgjaste kampionati. Edhe ato pagesa nuk bëheshin përmes sistemeve bankare, por paratë u jepeshin “kesh”, në dorë, si futbollistëve, ashtu edhe trajnerëve.
“Është e tmerrshme se s’i jemi trajtuar gjatë këtyre 20 vjetëve. Kontributet në Trust nuk paguheshin, rrogat nuk i merrnim në bankë, por në dorë. Plus vonoheshin. Paguheshim vetëm për 7-8 muaj. Edhe nga ato 7-8 paga i merrnim nga dy apo tri, të tjerat na mbeteshin borxh dhe nuk i merrnim kurrë”, e vazhdon rrëfimin e tij Robert Gjeraj, i cili kur ishte i ri shpresonte se nga futbolli do të bëhej edhe i pasur, sikurse moshatarët e tij në shtetet tjera evropiane.
Edhe Visar Zogiani, kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës, e konfirmon parregullsinë e madhe që ka ndodhur ndër vite në sportin numër një në Kosovë.
“Dhënia e 10-përqindëshit të Trustit padyshim që përsëri i prek futbollistët, sidomos gjeneratat që kanë luajtur në kampionatet 2000-2016, pra deri në pranim në UEFA e FIFA. Nuk ka pasur kontrata të nënshkruara klub – futbollist, por edhe nëse ka pasur, tatimet dhe detyrimet nuk janë paguar. Deri vonë pagat mujore janë dhënë në dorë, e jo përmes bankave”, deklaron Zogiani.
Zogiani: FFK-ja licencoi për gara evropiane klub që s’ka paguar tatime! Salihu e mohohon
Që nga paslufta në futbollin e Kosovës besohet se janë “derdhur” afro 100 milionë euro. Por, letrat mungojnë. Krejt problemet tejkaloheshin duke u thirrur në mosanëtarësimin e Kosovës në UEFA e FIFA.
FC Prishtina ishte thuajse klubi i parë dhe i vetëm që moti kishte nisur të paguajë tatime dhe kontribute të anëtarëve të saj të funksionojë me letra, pavarësisht jo mënyrës së përkryer. Shumica e klubeve tjera letrat nisën t’i përdorin vetëm pas anëtarësimit në UEFA, e cila kërkon përmbushje të kriterit financiar për klubet që e duan pjesëmarrjen në gara evropiane. Andaj, disa klube kosovare nga viti 2016 kishin filluar të paguanin diçka me qëllim që të dilnin në garat e UEFA-s për të përfituar shuma të mëdha parash.
Por, edhe tani – pas anëtarësimit në UEFA e FIFA – “dallaveret” janë evidente, madje para syve të FFK-së dhe shtetit, të cilët bëhen kinse nuk po shohin.
Por, “dallaveret” i konfirmon Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve të Kosovës, e cila zbulon edhe rast kur FFK-ja ka licencuar klub për gara evropiane pa i kryer obligimet ligjore në Kosovë. Këtë rast e denoncon kryetari i kësaj shoqate nga karriera e tij prej futbollisti.
“Pas pranimit në UEFA e FIFA gjërat kanë filluar të ndryshojnë për të mirë sepse klubet kanë qenë të obliguara t’i paguajnë futbollistët dhe ish-futbollistët për dy vitet e fundit, përfshirë këtu edhe tatimet. Por, edhe këtu ka pasur lëshime sepse unë personalisht kam qenë pjesë e një klubi të Superligës, i cili është licencuar që të marrë pjesë në gara evropiane kurse mua nuk më është paguar trusti”, thotë kryetari i kësaj shoqate, ish-futbollisti i njohur, Visar Zogiani.
Por, kjo mohohet nga FFK-ja. Sekretari gjeneral i saj, Eroll Salihu, thotë se shtëpia e futbollit kosovar nuk e licencon për gara evropiane asnjë klub pa i përmbushur kriteret e UEFA-s. “Nuk ka mundur të licencohet një klub për Evropë pa i përmbushur kriteret. Nëse një klub i ka pasur borxh një futbollisti, futbollisti është dashur të tregojë, të dëshmojë në FFK. Pastaj, është një mundësi që klubi mund të licencohet pa e kryer borxhin me marrëveshje që për një afat të caktuar e kryen borxhin”, tha Salihu për Express.
Kontrata të dyfishta: Një të deklaruar, një të fshehur!
Përkundër anëtarësimit në UEFA e FIFA në vitin 2016 parregullsitë nuk janë stopuar as tani në vitin 2020. Në futbollin e Kosovës praktikohet nënshkrimi i dy kontratave në mes klubeve e futbollistëve, përmes të cilave bëhet shmangia e tatimeve ndaj shtetit dhe kryerjes së obligimeve ligjore për futbollistë. Për shembull, një futbollist paguhet 3 mijë euro nga një klub. Nga dy mijë i merr “kesh”, kurse nga një mijë përmes kontratës. Dhe, në Trust i paguhen kontributet vetëm të pjesës së vogël të pagesës, por jo edhe të shumës së madhe që merr.
Kjo konfirmohet për Gazetën Express edhe nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Futbollistëve. “Në ditët e sotme e kemi një problem tjetër, e ai është marrëveshja e dyfishtë. Pra, kemi kontrata të dyfishta në mes klubeve dhe futbollistëve. Përmes kësaj forme nuk paraqiten pagesat reale të futbollistëve nëpër klube dhe për këtë një pjesë të fajit e kanë edhe vetë futbollistët pasi që mashtrohen me shuma marramendëse dhe nuk mendojnë shumë për jetën e tyre pasi ta përfundojnë karrierën futbollistike ose moshën e pensionimit. Kjo puna e kontratave të dyfishta ekziston edhe në disa vende tjera, sepse FIFPro është duke e luftuar këtë fenomen qe një kohë, sidomos në shtetet e Evropës Lindore”, thotë kryetari i kësaj shoqate, Visar Zogiani.
“Ne si shoqatë vazhdimisht u bëjmë thirrje futbollistëve që marrëveshjet me klubet t’i nënshkruajnë me shumat reale që parashihet t’i marrin sepse në rast të mospërmbushjes së marrëveshjes do të jenë vetë futbollistët që do të dëmtohen”, thekson Zogiani.
FFK: Jemi për rregull, shteti ta kthejë kokën edhe kah futbolli
Gazeta Express ka kontaktuar edhe Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Sekretari gjeneral i saj, Eroll Salihu, thotë se shtëpia e futbollit është për atë që në futbollin e Kosovës të vendoset rregulli. Ai ka kërkuar edhe nga shteti ta kthejë kokën edhe kah futbolli.
“Kosova është ndër vendet më të varfra në Evropë. Duhet kuptuar situatën e vështirë të futbollit ndër vite, luftohej për ta mbajtur gjallë këtë sport. Nuk duhet harruar se prej vitesh klubet gjithnjë kanë dhënë, e në anën tjetër nuk kanë marrë asgjë”, thotë Salihu.
“Por tani jemi në një pozitë tjetër dhe duhet të kemi korniza. Duhet të kemi pasqyra financiare. Të dihen të hyrat dhe shpenzimet. Në FFK i verifikojmë kontratat e lojtarëve me klube, pra ato kontrata që i sjellin te ne me përmbajtje elementare. Por ne nuk mund ta dimë gjithçka çka ndodhë brenda klubeve. Është koha që edhe shteti ta kthejë kokën kah futbolli. Nëse ka shmangie tatimi le të ndërhyjë shteti. Ne këtë nuk mund ta bëjmë se ne jemi federatë. Ne jemi për kontroll dhe rregullsi dhe mundohemi t’i kryejmë krejt ato që na takojnë neve si federatë”, potencoi Salihu.