Një skandal i madh po trondit sistemin gjyqësor në Serbi, pasi Radar zbulon se Shërbimi i Sigurisë dhe Informacionit (BIA) ka marrë për kontroll kompjuterët e katër gjyqtareve të njohura për qëndrimet e tyre kritike ndaj pushtetit.
Radar raporton se bëhet fjalë për Ans Milosheviq, Ksenija Mariq, Olivera Djuriq dhe Ivana Ramiq – anëtare të grupit joformal “Odbranimo struku” që kanë mbështetur publikisht kërkesat e studentëve dhe kanë kundërshtuar presionet politike ndaj gjyqësorit.
Gjyqtareve u janë konfiskuar kompjuterët me arsyetimin se ishin “të infektuar nga një virus” pas një “sulmi hakerësh”. Por, dy prokuroritë kompetente për çështje të tilla – ajo për Krimin e Lartë Teknologjik dhe për Krimin e Organizuar – kanë konfirmuar se nuk kanë marrë asnjë kallëzim penal dhe nuk kanë dhënë asnjë urdhër për sekuestrimin e kompjuterëve.
Kompjuterët janë marrë vetëm mbi bazën e një njoftimi verbal nga Ministria e Drejtësisë dhe janë dorëzuar, sipas informacioneve, agjentëve të BIA-s për “kontroll të përmbajtjes”. Kjo ndërhyrje është bërë pa proces ligjor të dokumentuar dhe pa hetim të hapur penal.
Edhe pse të gjithë kompjuterët në Gjykatën e Lartë në Beograd janë të lidhur në të njëjtën rrjet, vetëm pajisjet e disa gjyqtarëve të caktuar janë marrë për kontroll, ndërsa të dhënat e tyre janë transferuar në pajisje të tjera pa përfunduar verifikimi për virusin e supozuar.
Skandali vjen pas një serie sulmesh mediatike dhe politike ndaj këtyre gjyqtareve, të cilat ishin të zëshme në kundërshtimin e ndërhyrjeve të Presidentit Vuciq në punën e gjyqësorit dhe kishin refuzuar kërkesat e Prokurorisë për të vendosur paraburgim ndaj studentëve të arrestuar pas protestave të Vidovdanit.
Ekspertët dhe vetë gjyqtaret e prekur kanë ngritur dyshime serioze se i gjithë rasti i “sulmit kibernetik” është një pretekst për ndjekje politike dhe mbikëqyrje të paligjshme ndaj anëtarëve të drejtësisë që nuk i nënshtrohen pushtetit ekzekutiv.