Profesori dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Muhamet Hamiti, ka reaguar pasi Qeveria e Kosovës e ka sponsorizuar një artikull në revistën e njohur franceze ‘Petit Fute’ si vend ku lindën manastiret ortodokse serbe.
Në një shkrim në Facebook, Hamiti ka thënë se kjo është propagandë për VV’në me para të Qeverisë së Kosovës.
Ai ka treguar se në këtë revistë përveç pjesës skandaloze ku thuhet se Kosova është vend ku lindën manastiret ortodokse serbe, Qeveria ka bërë propagandë për VV’në.
“Simbas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova ishte vendi më i varfër i Evropës më 2021. Mirëpo, një erë shprese ka fryrë në Kosovë pas zgjedhjeve, në shkurt të vitit 2021, të një shumice të re parlamentare të drejtuar nga partia “Vetëvendosje”. Kështu shkruan në tekstin që mëton të jetë promovues për Kosovën në këtë revistë turistike. Tekst i sponsorizuar. I paguar me para të Qeverisë së Kosovës, natyrisht. Kush di frengjisht, mund të mësojë edhe kuriozitete të tjera të çuditshme në këtë tekst. Shih ff. 96-7”, ka shkruar Hamiti.