Agjencia Kosovare e Inteligjencës, institucioni më i lartë i sigurisë, është përmendur për disa skandale e situata të jashtëzakonshme. AKI-ja mori pjesë në rrëmbimin e 6 shtetasve turq në muajin mars.
Në shtator brenda ndërtesës së shërbimit inteligjent ndodhi një vrasje. E, së fundmi shefi i AKI-së, Shpend Maxhuni, u përmend për një javë rresht, pasi institucionet shtetërore provuan ta shfajësojnë djalin e tij, i cili u zu me armë pa leje dhe drogë.
Në mars të këtij viti, shefi i AKI-së, Driton Gashi, u shkarkua për shkak se me urdhër të AKI-së u rrëmbyen gjashtë shtetasit turq dhe u dorëzuan në Turqi, ku ishin të përndjekur politikë nga pushteti i Recep Tayyip Erdogan.
Shpend Maxhuni, i cili kaloi nga posti i shefit të Policisë në drejtimin e AKI-së, i ka sjellë skandale të reja shërbimit inteligjent. Për një javë rresht është folur për tentim-shfajësimin që institucionet provuan t’ia bëjnë djalit të Shpend Maxhunit, i cili është zënë më armë pa leje dhe substancë narkotike.
Gjetja e armës dhe substancave narkotike te një 20-vjeçar, do të ishte veç një rast tjetër që shkon në procedura të rregullta të Policisë së Kosovës, sikur ai të mos ishte djali i shefit të AKI-së dhe sikur Policia e Prokuroria të mos ndryshonin faktet pas një jave kur një rast i tillë u bë publik nga media.
Bëhet fjalë për Shpëtim Maxhunin, djalin e shefit të AKI-së, Shpend Maxhunit, te i cili me datë 12 tetor, derisa po voziste veturën në pronësi të gjyshit të tij, u gjetën armë pa leje dhe substanca narkotike të llojit marihuanë. E për këtë rast, hetimet për çudi nisën vetëm pas raportimit të mediave për neglizhencë nga ana e Policisë së Kosovës.
E në institucionin më të lartë të sigurisë në vend në AKI, siguria u lëkund edhe gjatë shtatorit të këtij viti. Në këtë institucion u vra punonjësi, Isa Sejdiu nga kolegu i punës Valon Ibërdemaj.
Kjo çështje ende nuk është zbardhur nga hetuesia kosovare, ani se ka ndodhur në institucionin më të lartë të sigurisë në vend. Për këtë punë hetimet po thuhet se po vazhdojnë.
Kështu ka deklaruar të enjten, zëvendëskryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Ibrahim Berisha. Ai tha se për këtë punë ende nuk ka asnjë të dyshuar.
“Hetimet jemi duke i vazhduar. Nuk kemi asnjë të re e asnjë të dyshuar. Prokurori i lëndës është ndërruar. Është intervistuar gruaja e viktimës si dhe si provë nga vendi i ngjarjes janë marrë edhe kamerat e sigurisë. Tash po presim”, ka deklaruar për Express Berisha.
E të gjitha këto zhvillime në sistemin e hetuesisë kosovare mund të ndikojnë në anëtarësimin e Kosovës në institucionet e sigurisë ndërkombëtare. Kosova po pret që muajin e ardhshëm në Emiratet e Bashkuara Arabe të bëhet pjesë e një organizate të rëndësishme ndërkombëtare –INTERPOL-it. Por, një zyrtar i involvuar në procesin e anëtarësimit, në kushte anonimiteti, i ka thënë Gazetës se një dëm të madh këtij procesi ia ka bërë Policia e Kosovës, e cila e shkarkoi nga përgjegjësia djalin e shefit të AKI-së Shpend Maxhunit, të cilit 10 ditë më parë iu gjetën drogë e armë në veturë.