Skandali detyron Kroacinë të tërheqë dizajnin e euros

Prishtinë | 09 Shk 2022 | 10:02 | Nga Ekonomia Online

Banka kombëtare e Kroacisë ka hapur tender të ri për dizajnin e monedhës njëeuroshe pasi skandali për plagjiaturë çoi në tërheqjen e versionit të mëhershëm.

Kroacia po përgatitet të pranojë monedhën euro në vitin 2023 dhe javën e shkuar shpalli fituesit e garës.

Skandali shpërtheu për shkak të logos që përmbante një kunadhe që qëndronte në një degë, e që përngjante me një fotografi të shkrepur nga fotografi britanik, Iain Leach, duke nxitur akuza për plagjiaturë.

Pas përfundimit të garës, fituesi tërhoqi dizajnin e tij të hënën duke cituar “atmosferën e pakënaqshme të krijuar në media dhe rrjetet sociale”.

Disa orë më vonë, banka kombëtare kroate ka njoftuar për konkursin e ri.

Vetë Leach ka lavdëruar vendimin e dizajnuesit për të tërhequr produktin e tij.

“Nuk e kam ndërmend të padis ndokënd. Vendimi i duhur u mor dhe për mua ky është fundi i tregimit”, ka thënë ai për një medium kroat.

Imazhet tjera fituese përfshinin monedha me hartën e Kroacisë, atë të shpikësit Nikola Tesla dhe alfabetin më të vjetër sllav.

Nga 27 shtete anëtare të Bashkimit Evropian, 19 prej tyre përdorin euron si monedhë.

Një matës në vitin 2021 tregoi se 61 për qind e kroatëve kanë përkrahur kalimin nga kona në euro, pavarësisht frikës se valuta e re mund të çojë në inflacion.

Të ngjashme