Këtë vit, 10.6 për qind është rritur numri i përfituesve nga skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), krahasuar me një vit më parë.
Në muajin korrik të këtij viti, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 937 familje me gjithsej 82 mijë e 621 anëtarë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak që ishte 25 mijë e 88 familje me gjithsej 98 mijë e 832 anëtarë, vërehet një rënie e numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 4 mijë e 151 ose 16,5%.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) njofton se në muajin korrik 2023, krahasuar me muajin korrik 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore 20,6%; skema për pensionet e Trepçës 18,2%; skema për pensionet familjare 8,9%; skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës 3,1%; skema e pensioneve bazike të moshës 2,0%; skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës 1,7% dhe skema për veteranët e luftës 0.2%.
Rritje e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë.
“Në muajin korrik 2023, krahasuar me muajin korrik 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: Skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara 14,8%; skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës 10,6%; skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik 7,6%; skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara 5,3%; skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 4,9%; skema e kompensimeve për personat e verbër 4,3%; skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) 3,4%”, thuhet në raportin “Statistikat e Mirëqenies Sociale, Korrik 2023”, të publikuara nga ASK-ja.