Vazhdojnë mashtrimet me anë të “Call Center”-ave, por kësaj radhe mashtrimi nuk është me anë të telefonatave të të punësuarve nëpër kompanitë “mashtruese”, por i drejtpërdrejtë.
Është një shtetas nga Kosova, i cili ka mbërritur në vendin tonë duke iu kërkuar lekë borxh qytetarëve të ndryshëm për t’i investuar në ndërtimin e një kompanie të tillë. Ai iu ka premtuar atyre se do t’i shpërblente më shumë se shumën e marrë, ndërkohë që personave që iu ka marrë shuma të mëdha, iu ka premtuar se do t’ua kthente sapo ai të niste aktivitetin e tij të biznesit. Por pasi kanë kaluar disa muaj nga dhënia e parave, personi është zhdukur nga qarkullimi, thotë Policia, e për pasojë qytetarët që i kishin besuar paratë, e denoncojnë. Shuma e përfituar, sipas hetimeve paraprake, është të paktën 135 mijë euro. Burimet policore bënë me dije se personi që është edhe më i dëmtuari në këtë histori është një grua, e cila i ka dhënë një shumë të konsiderueshme këtij personi.
ARRESTIMI
Sipas të dhënave të Policisë, bëhet me dije se një 30- vjeçar nga Kosova është arrestuar në Tiranë me akuzën se ka përvetësuar përmes mashtrimit një shumë prej 135 mijë eurosh. Ai quhet Qerim Krasniqi dhe u prangos në operacionin e koduar “Mysafiri”. Ai i kishte marrë paratë borxh me premtimin se do t’i kthente pasi të hapte një biznes “Call-Center”- i. Por i dëmtuari ka denoncuar në Polici faktin se shqiptari nga Kosova nuk ia ka kthyer borxhin, duke e mashtruar.
Sipas burimeve, 30-vjeçari Qerim Krasniqi u kërkonte hua personave të ndryshëm, më qëllimin që të hapte një “Call Center”. Sipas Policisë, i dyshuari pretendonte se paratë do t’i përdortë në blerjen e materialeve të ndryshme dhe kishte premtuar se, sapo të hapte biznesin, do të shlyente borxhet. Denoncimet që kanë mbërritur në Drejtorinë e Policisë dhe hetimet e ndjekura, zbuluan edhe skemën e përdorur nga 30-vjeçari. Ai rezulton banues në Kamenicë, ndërkohë që pas hetimeve ndaj tij, është ngritur akuza e mashtrimit.
Aktiviteti i kompanive “Call Center” është kthyer në një shqetësim për Policinë dhe ekspertët kibernetikë, pasi prej fillimit të vitit, të paktën 11 subjekte të tilla kanë rezultuar të përfshira në përvetësimin e parregullt të fondeve nga qytetarë të ndryshëm. Operacioni i fundit u zhvillua rreth 1 muaj më parë në zonën e 21 Dhjetorit. Policia ka arrestuar rreth 15 persona, ndërkohë që janë shpallur në kërkim edhe 23 të tjerë, të cilët dyshohet se kanë mashtruar rreth 2 mijë shtetas gjermanë.
Arrest me burg
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë arrest me burg për 30 vjeçarin Qerim Krasniqi, i cili akuzohet për veprën penale të mashtrimit.
Vitin e kaluar ai është njohur me Marjana.C, pronare e një hoteli të vogël ku kishte qëndruar si klient. Fillimisht 30 vjeçari ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë me pronaren e hotelit dhe më pas i ka kërkuar para.
Gruaja i ka dhënë fillimisht 50 mijë euro, pastaj 20 mijë euro, derisa sipas saj në total u bënë 135 mijë euro që i riu nga Kosova nuk ia kishte kthyer më.
Marjana thotë se paratë i ka pasur në bankë pasi kishte shitur një shtëpi. Pasi kanë kaluar disa kohë, pronarja e lokalit i ka kërkuar 30 vjeçarit që t’i kthejë paratë, por ai nxirrte justifikime nga më të ndryshmet. “Jam me COVID, jam me oskigjeno- terapi, mi ka bllokuar banka, etj”, kanë qenë disa nga justifikimet.
Në shtator të 2021 Qerimi ka ndërprerë kontaktet me të. Atëhere ajo ka bërë denoncim në polici. Pas shumë përpjekjesh i ka rivënë kontaktet me të riun nga Kosova në përpjekje për të marrë paratë e saj. Në janar të 2022 ai i ka shkëputur përsëri kontaktet me Marjanën. Prokuroria e ka shpallur në kërkim dhe ai është ndaluar teksa u paraqit në kufi.
Para hetuesve Qerimi ka thënë që Marjanës i ka marrë shumën prej 80 mijë eurosh të cilën e ka investuar në kriptomonedha, por e ka humbur. Ai flet për një shtetas nga Maqedonia e Veriut, por tregon vetëm emrin, jo të dhëna që të mund ta identifikojnë. Sot në orën 11:00 ai pritet të dalë para gjykatës për masë sigurie.