I akuzuari për krime të luftës ndaj civilëve shqiptarë në rrethinën e Fushë Kosovës, Skender Bislimi, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 10 vjet burg nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Shpallja e gjykimit ndaj Bislimit, një pjesëtar i komunitetit rom, është bërë të sot nga kryetari i trupit gjykues Arben Hoti.
Prokuroria, në aktakuzë, pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë, në pranverë të vitit 1999, ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.
Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person.
Ivan Radivojeviq është dënuar me 8 vjet burgim për këto ngjarje.
Sipas Prokurorisë, Bislimi në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.
Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.
Bislimi ishte arrestuar në Bosnjë-Hercegovinë në gusht të këtij viti, në bazë të një fletarresti ndërkombëtar të lëshuar nga një gjyqtar i EULEX-it në Prishtinë më 13 shkurt 2013.
Pikërisht sipas kërkesës së PSRK-së, Skender Bislimi u ekstradua në Kosovë më 9 dhjetor 2016.
Vetë Bislimi, sipas aktvendimit për caktimin e paraburgimit, në seancën e mbajtur për caktimin e masës së sigurisë ka mohuar pretendimet e prokurorit.
“Në kohën kur Prokuroria pretendon se kanë ndodhur ngjarjet unë kam qenë në Mladenova te vajza ime e jo në Fushë-Kosovë”, kishte thënë Bislimi në seancën për masën e sigurisë.