Në Shtetet e Bashkuara ndodhet Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj, i cili ka ligjëruar këto ditë në dy universitete të Çikagos lidhur me harmoninë fetare në Shqipëri.
Ai ishte i ftuar për një bisedë në studion e Zërit të Amerikës. Bruçaj tha se shqiptarët, si një popull i vogël, e duan dhe e respektojnë njëri-tjetrin, duke jetuar në harmoni fetare midis tyre, edhe pse kanë bërë zgjedhje të ndryshme përsa i përket fesë.
Ai tha se në kohë të ndryshme, disa njerëz e kanë përdorur fenë për të arritur synimet e tyre politike, për të marrë më shumë pushtet. Në Shqipëri tha ai, fetë predikojnë paqen dhe dashurinë dhe kjo ka ndrikuar në harmoninë fetare që ka vendi.
I pyetur për idenë e rilindasve, që bënin thirrje për unitet mes shqiptarëve, diçka e domosdoshme për mbijetesën e një kombi të vogël, Bruçaj tha se dashuria për kombin është e lidhur me dashurinë për fenë dhe Zotin. “Ne fenë e zgjedhim, – tha ai, – por të qënit shqiptar është një përcaktim i Zotit”. Ai tha se në të ardhmen shqiptarët do të bashkohen nën ombrellën e madhe të Bashkimit Europian.
Duke komentuar për incidentin e dorëzimit nga Kosova të 6 shtetasve turq, të akuzuar për veprimtari kundër qeverisë turke, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë tha se nëse do të ushtrohej presion i njëjtë ndaj Tiranës, ai tha se “Shqipëria është një vend i lirë dhe jam i bindur se do të vendoste çfarë është mirë për kombin, për Shqipërinë, në këtë lidhje. Problemet politike në Turqi, apo në një vend tjetër, ne si shqiptarë nuk ia zgjidhim dot, ne kemi prioritetet tona, ne investojmë për progresin, harmoninë dhe stabiltetin e vendit tonë dhe besoj që do ta ruajmë fort këtë vlerë, duke respektuar dhe në bashkëpunim me shtetet e tjera fqinjë”, tha për “Ditarin” kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënderj Bruçaj.
https://www.zeriamerikes.com/a/4350382.html