Anëtari i kryesisë së LDK-së, Skënder Hyseni, është deklaruar për herë të parë pas humbjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurt.
Hyseni u pyet për arsyet e humbjes së thellë të LDK-së, për të cilat tha se asgjë për të shtuar prej deklaratës që ka dhënë kryesia lidhur me këtë çështje.
“Ne jemi deklaru si Kryesi dhe unë jam pjesë e Kryesisë dhe s’kam çfarë t’i shtoj asaj që jemi deklaru”, tha ai për Gazetën Blic.
Madje ai tha se nuk ka ambicie për të qenë kryetar i LDK’së.
“Jo, nuk kam asnjë ambicie të tillë për kryetar të LDK-së”, thotë Hyseni, duke shtuar se nuk do të ndryshojë asgjë sa i përket punës që ka bërë ndër vite për LDK-në.
“Unë nuk do të ndryshoj asgjë në qasjen time ndaj LDK-së, do të punoj shumë si gjithmonë. Tek unë nuk ka patur as ngritje as rënie në përkushtimin tim për LDK-në dhe për punët në të” tha Hyseni.
Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit mori rezultatin më të dobët në historinë e saj , duke u renditur subjekti i tretë politik me 13.08%.