Volejbollistet e Skenderajt e kanë fituar Kupën e Kosovës për edicionin 2018\2019. Në finalen e Kupës, të luajtur të enjten pasdite në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Skenderaj fitoi ndaj skuadrës prishtinase M Technologie, me rezultatin 3:1 në sete.
Të gjitha katër setet u vendosën me dallim të vogël pikësh. Skenderaj fitoi setin e parë me rezultatin 25:21, ndërsa rezultati në 1:1 u barazua me fitoren në setin e dytë 25:22 të M Technologie, shkruan sot “Koha Ditore”. Vajzat drenicase e fituan edhe setin e tretë me rezultatin 25:20, ndërsa seti i katërt u fitua prej tyre me dy pikë dallim, 25:23.
Skenderaj, që për vite të tëra është prej skuadrave kryesore në vend, e ka fituar Kupën e Kosovës në volejboll për herë të parë. Ky vlerësohet të jetë sukses i madh për skuadrën që përballet me vështirësi të mëdha. Në Skenderaj ende nuk ka palestër të madhe dhe për këtë ndeshjen gjysmëfinale ndaj Dritës skuadra e luajti në Mitrovicë.
Në klub ankohen edhe për anashkalim të Komunës së Skenderajt e po ashtu për mungesë të përkrahjes nga donatorët. KV Skenderaj mbështetet në lojtare vendore, ndërsa mungesa e parave ia ka pamundësuar të marrë lojtare të huaja. Të gjitha lojtaret, pos njërës, janë të zhvilluara në skuadrën e Skenderajt. Përforcim është vetëm Rukije Mujaj e transferuar nga Drenasi.
“Kupa e parë e Kosovës ka ardhur në momentin më të mirë. Në përbërje kemi vetëm lojtare vendore. Sot ishim më të motivuara dhe në momentet vendimtare vajzat ishin në nivel. Është hera e parë që fitojmë Kupën dhe ky është sukses i madh marrë për bazë vështirësitë që i kemi”, ka thënë Ylli Kadriu, trajner i Skenderajt.
M Technologie në përbërje i ka dy lojtare nga Brazili.
“Ekipi që bëri më pak gabime e fitoi ndeshjen. Lojtaret e Skenderajt sot e patën shërbimin e fortë, ndërsa pranimi te ne nuk ishte i duhuri. Edhe në sulm kemi pasur disa gabime nga lojtaret me përvojë. Në përgjithësi ishte lojë shumë e mirë”, ka thënë trajneri i M Technologie, Naser Krasniqi.
Në konkurrencë të meshkujve, Kupën e fitoi Luboteni, pasi mposhti me 3:0 në sete Prishtina Volley.