Sot është mbajtur mbledhjen e Bordit të Drejtorëve, në të cilën ështëdiskutuar në lidhje me rekomandimet që ka vendosur Qeveria e Kosovës si masë parandaluese ndaj Koronavirusit.
Me vendimin e kryetarit Bekim Jashari është formuar Shtabi Emergjent i cili udhëhiqet nga kryatri i Skenderaj Jashari kurse në të bëjnë pjesë Kryesuesja e KK, drejtorët komunal, drejtori i QKMF-së, Komandanti i Stacionit Policor në Skenderaj si dhe Shefi i Njësisë së Zjarrfikësve.
Për të pasur një koordim më të mirë në zbatimin e masave parandaluese Komuna e Skenderajt nesër do të mbajë takimin e parë të Shtabit Emergjent si dhe takimin e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi.
Pas pezullimit të procesit mësimor në institucionet arsimore në Komunën e Skenderajt, aktivitetet publike do të zhvillohen pa praninë e publikut si tubimet e ndryshme, ngjarjet sportive, konferencat apo organizime të tjera.
Si masë tjetër parandaluese do të bëhet edhe dezinfektimi i institucioneve shkollore, shëndetësore, shtëpisë për personat e moshuar etj.
Për zyrtaret komunal që janë në kontakt me palët komuna do të sigurojë pajisje mbrojtëse dhe dezinfektuese.
Duke marrë parasysh shqetësimet dhe raportimet e qytetarëve për rritje artificiale të çmimeve të artikujve ushqimor, medikamenteve dhe preparateve dezinfektuese inspektorati komunal është mobilizuar dhe ka filluar inspektimet në qendrat tregtare, barnatore dhe biznese tjera për të verifikuar nëse ka rritje çmimesh, me ç’rast ka paralajmëruar bizneset që nëse do të këtë rritje të çmimeve inspektorati komunal do të ndërmarrë veprime ligjore sipas legjislacionit në fuqi.
Në lidhje me këtë Komuna e Skenderajt apelon tek qytetarët që në raste kur hasin në ngritje të çmimeve të kontaktojnë linjat telefonike të ATK-së, 080080800, 038222165 apo inspektoratin komunal në numrat e telefonit: 028582090, 045189300, 044373945.
Sot po ashtu Drejtoria për Shërbime Publike ka obliguar kompanitë e transportit publik që të bëjnë dezinfektimin e mjeteve transportuese.
Komuna e Skenderajt apelon tek qytetarët që të mos bëjnë panik por në vend të kësaj të shtojnë kujdesin higjienik sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike.
Për rastet emergjente shëndetësore qytetarët e Skenderajt mund të kontaktojnë QKMF-në, në linjën telefonike falas 194.