Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar se komuna të cilën ai udhëheq nuk do të ketë dekorim të qytetit për festat e fundvitit.
Në një postim në Facebook, Jashari ka thënë se mjetet financiare të parapara për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit do të shfrytëzohen për menaxhim të situatës pandemike, në përkrahje të familjeve në nevojë.
“Marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, gjendjen ekonomike në vend dhe prioritetin tonë që përkrahjen me pako ushqimore e higjienike për familjet në nevojë të vazhdojmë sipas kërkesave dhe nevojave në teren, kam vendosur që këtë vit për festat e fundvitit të mos dekorojmë sheshin ‘Adem Jashari’ dhe qytetin tonë në përgjithësi”, ka shkruar ai.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë të enjten ka rreth 70 raste aktive me COVID-19. Në këtë komunë, si pasojë e koronavirusit kanë vdekur 16 persona.