Sot ka filluar ndërtimi i dy shtëpive për dy familje nevojtare të fshatit Prekaz i Epërm.
Ndërtimi i shtëpive për familjet e Arsim Lutfiut dhe Ekrem Veliajt do të bëhet falë ndihmës së Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” me përkrahje edhe të Komunës së Skenderajt.
Në ceremoninë e vënies së gurthemelit të dy shtëpive kanë marrë pjesë udhëheqësi i shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit” Halil Kastrati dhe Drejtori për Sëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Skenderajt, Enver Gashi.
Në emër të Komunës së Skenderajt drejtori Enver Gashi ka siguruar se përzgjedhja e këtyre dy familjeve për t’i ndihmuar është bërë bashkarisht me shoqatën dhe ka qenë e arsyeshme, sepse ato kanë jetuar në hapësira të papërshtatshme banimi dhe janë familje që kanë probleme shëndetësore dhe ekonomike, transmeton Klan Kosova.
Dy kryefamiljarët, Arsim Lutfiu dhe Ekrem Velia, u shprehën shumë të kënaqur dhe falenderues për të gjitha ata që po ndihmojnë ndërtimin e shtëpive të tyre, në veçanti për udhëheqësin e shoqatës “Jetimat e Ballkanit” z. Halil Kastrati, si dhe për Komunën e Skenderajt.
Ndërtimi i këtyre dy shtëpive që ka filluar sot, pritet që të përfundojë shumë shpejt dhe këto familje do t’a zgjidhin përfundimisht problemin e banimit.