Vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë ka marrë kahje tjetër pas ngritjes së aktakuzës ndaj Presidentit Thaçi nga Gjykata Speciale.
Njohësit e rrethanave politike thonë se Kosova në këto momente është në rrethana të pafavorshme politike për të vazhduar procesin e dialogut
Ramush Tahiri thotë se Kosova ka marrë goditje të mëdha pas këtyre zhvillimeve të fundit, madje sipas tij vështirë se Kosova do të merr pjesë në Samitin e Parisit në këto rrethana.
“Është një goditje për politikën e Kosovës dhe për dialogun. Dialogu nuk mund të vazhdon me presidentin e pafuqishëm dhe në këtë rast edhe me kryeministrin e pafuqishëm sepse duhet të kemi harmonizim të qëndrimeve shtetërore karshi dialogut me Serbinë. Delegacioni i Kosovës nuk do të shkoj në bisedimet e Parisit pasi që nuk mund të shkonte as në bisedimet e Uashingtonit. Kjo gjykatë edhe pse është e pavarur, ka ndikuar në ndërprerjen e dialogut”, tha për RTV Dukagjinin, Ramush Tahiri.
Demush Shasha nga Instituti Epik thotë se Gjykata Speciale nuk është arsyeja e vetme e mos vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi.
“Unë e shoh më problematike mungesën e konsensusit brenda Kuvendit të Kosovës për të filluar dialogun me Serbinë…Për të filluar çfarëdo dialogu që synon marrëveshje politike me Serbinë ai dialog duhet të gëzojë mbështetjen e 2/3 të votave të deputetëve në Kuvend”, deklaroi Demush Shasha.
Merkel dhe Macron janë shprehur të gatshëm të organizojnë dialogun Kosovë-Serbi gjatë javës së tretë të korrikut