Sketori privat me humbje të mëdha, Panxha: Qeveria e re duhet të fokusohet në katër shtylla kyçe për ekonominë

Prishtinë | 13 Dhj 2025 | 08:27 | Nga Gzim Mujaj

Kryeministri i ardhshëm dhe qeveria e re duhet të fokusohen në katër shtylla kyçe për të stabilizuar ekonominë e vendit dhe për të krijuar një klimë të favorshme për zhvillim. Kështu sugjeron Drejtori Ekzekutiv i Forumit të Biznesit në Kosovë, Astrit Panxha, i cili tha se mos konstituimi i institucioneve ka krijuar një vakum të madh në administratën publike, duke penguar investimet kapitale, nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe zhvillimin ekonomik të vendit, raporton Ekonomia Online.

Panxha në një intervistë për Ekonomia Online tha se hezitimi i bizneseve për të investuar dhe për të rritur kapacitetet prodhuese ka ndikuar në zhvillimin e një klime ku pasiguria ka dominuar mbi rritjen ekonomike.

“Moskonstituimi i institucioneve në formën që duhet ka shkaktuar një vakum të madh sa i përket ekonomisë, edhe Kosova nuk e ka arritur potencialin e vet për rritje ekonomike që ka pasur mundësi sikur të kishim një qeveri funksionale, edhe institucione edhe çështjet politike të jenë më stabile. Në investimet kapitale nuk kanë qenë në nivelin e duhur duke marrë parasysh mandatin e cunguar të qeverisjes në detyrë, pastaj shumë marrëveshje ndërkombëtare nuk ka mundur të nënshkruhen dhe ratifikohen. Për këtë arsye Kosova ka pasur humbje të mëdha sa i përket financimeve nga jashtë si dhe klima pastaj, kjo pa siguri se çfarë do të ndodhë”, tha ai.

Ai thekson se pasiguria është armiku më i madh i sektorit privat dhe ka ndikuar në frenimin e rritjes dhe investimeve.

“Pasiguria është një armik i madh i sektorit privat sepse hezitojnë të investojnë, hezitojnë të rritin kapacitetet prodhuese e investimet në infrastrukturë apo në projekte të tjera madhore dhe kjo ka pasur pastaj ndikim në krijimin e një klime ku nuk promovohet zhvillimi, rritja, por promovohet më shumë pasiguria deri sa të krijohen institucionet që duhej të krijoheshin”, tha ai.

Ai theksoi se qeveria e re duhet të fokusohet në katër shtylla kyçe për përmirësimin e klimës ekonomike: përmbushjen e obligimeve institucionale, ratifikimin e marrëveshjeve me Bashkimin Evropian dhe Bankën Botërore, fillimin e menjëhershëm të aplikimit të politikave zhvillimore dhe investimeve kapitale, si dhe miratimin e bazës ligjore për reformat ekonomike.

“Do të thotë humbjet janë të mëdha për sektorin privat sepse nuk është arritur kapaciteti që është pritur të arrihet. Ndërsa çfarë e pret qeverinë e re është së pari të shikohen ku ka ngecje në aspektet administrative, se kemi shumë komuna, shumë nivele lokale që nuk i kanë marrë buxhetet e duhura, bëjnë pagesat, se kemi shumë biznese që kanë kryer punë për institucionet, por nuk janë duke marrë mjetet e tyre, kjo është një hendikep i madh për ta. Të paguhen të gjitha obligimet institucionale, të ratifikohen marrëveshjet me BE, me Bankën Botërore ku thithen fondet që janë të nevojshme për infrastrukturë, për proceset e ndryshme integruese si dhe të fillohet menjëherë me aplikimin e politikave zhvillimore, buxheti të fillojë të shpenzohet në investimet kapitale si dhe duhet të miratohet baza ligjore që kemi një vit të humbur sa i përket reformave ligjore për avancimin e ekonomisë. Këto janë katër shtyllat që qeveria e ardhshme duhet të fokusohet”, tha ai.

Të ngjashme