Sllovenia fut Kroacinë në “listën e kuqe”

Prishtinë | 20 Gus 2020 | 20:25 | Nga Ekonomia Online

Sllovenia të enjten ka futur Kroacinë në listën e kuqe për shkak të rritjeve të rasteve me COVID-19. Pak para Sllovenisë, këtë e ka bërë edhe Britania e Madhe.

Vendimi do të futet në fuqi sonte në mesnatë dhe kjo do të thotë se të gjithë ata që futen në Slloveni nga Kroacia, përfshirë edhe shtetasit sllovenë, duhet të vetizolohen për dy javë.

Kalimi transit përmes Sllovenisë do të jetë ende i mundur.

Ndërkohë, sipas vendimit të Qeverisë, sllovenët që gjenden për pushime në Kroaci, mund të kthehen në vend, pa pasur nevojë të vetizolohen, deri të hënën.

Ditëve të fundit, numri i të infektuarve në Kroaci është rritur, por qëndron shumë më mirë se vendet tjera të rajonit. Gjithsej janë shënuar 7.329 raste pozitive, derisa kanë vdekur 168 pacientë si pasojë e COVID-19. Raste aktive janë 1.689.

Të ngjashme