Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka pritur në takim ambasadorin e Sllovenisë në Kosovë, Bojan Bertoncelj.
Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimin të Kosovës dhe Sllovenisë në fushën e inovacionit, si dhe për shkëmbimin e përvojave të rëndësishme për Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate për medie nga kjo ministri, Beqaj u shpreh i interesuar për mbështetje në fushën e shkëmbimit të përvojave sllovene në sektorin e inovacionit dhe ndërmarrësisë dhe marrjen e ekspertizës shumë të nevojshme nga Sllovenia si shtet anëtarë i BE-së.
“Bashkëpunimi me Slloveninë në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe marrja e ekspertizës sllovene në këtë sektor të rëndësishëm për zhvillimin e ekonomik dhe transformimin e saj në ekonominë digjitale, është shumë i rëndësishëm për Kosovën”, tha ministri Beqaj.
Ministri Beqaj po ashtu ka thënë se Sllovenia ka shumë ekspertizë në fushën e TIK-ut, dhe se ka marrë zotimin nga ambasadori slloven për mbështetje të pakursyer për transformimin e ekonomisë tonë në ekonomi digjitale.