Sot, kryetari komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka nënshkruar vendimin për hapjen dhe funksionalizimin e tregut e rrushit, pika 1 e vendimit thotë se hapet dhe funksionalizimet tregu pranë Shtëpisë së Verës (Tregut të Rrushit) për shitjen e prodhimeve bujqësore, kulturave perimtare, produkteve të bylmetit të gatshme për treg.
Në pikën 2 thuhet se fermerët të cilët do ti ekspozojnë produktet e tyre në treg obligohen që t’i respektojnë rekomandimet e IKSHP-së kundër COVID-19 siç janë: mbajtja e distancës sociale prej 2 metra dhe përdorimi i maskave dhe dorëzave.
Ndërsa tek pika 3 thuhet se fermerët të cilët nuk e kanë prezent Numrin Identifikues të Fermerit (NIF) dhe të cilët nuk pajisen me masat mbrojtëse sipas pikës 2 të këtij vendimi nuk mund t’i ekspozojnë dhe shesin produktet e tyre në treg.
Pika 4 thotë se obligohet Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural që të hartoj Planin Operativ për funksionimin e tregut siç është: caktimi i orarit për shitjen dhe llojin e produktit.
Në pikën 5 thuhet se obligohet Drejtoria për Inspektim dhe Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural që të bëjnë inspektimin dhe mbarëvajtjen e funksionimit të tregut.
Pika e 6 dhe e fundit thuhet se ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas nënshkrimit.