Njohësi i çështjeve Kushtetuese, Riza Smaka, ka thënë se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon që Qeverinë ta formojë, partia e dytë më e votuar, por vetëm e para. Ai ka thënë se formimi i qeverisë nga opozita, pa Lëvizjen Vetëvendosje do të prodhojë skandal kushtetutar.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Smaka ka thënë se zgjidhja më e mirë sipas kushtetutës janë shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Zgjidhja më e mirë edhe në konfirmitet më Kushtetutën është shpallja e zgjedhjeve të përgjithshme. Presidenti e ka shërbimin për ta formuluar propozim amendamentin për t’ia adresuar Qeverisë për Kuvendin. Brenda një javë apo disa ditësh do të miratohej amendamenti, dhe do të kishte bazament kushtetutar solid”, tha Smaka.
Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka autorizim për ta propozuar kandidatin apo kandidaten për mandatim për formimin e Qeverisë, e që është një defekt në Kushtetutë dhe quhet zbrazëtirë juridike.
“Nuk është dashur që Qeveria të votohet. Së pari nuk ka bazë kushtetuese që të formohet qeveria nga opozita pa partinë politike që ka subjektin fitimtar Lëvizjen Vetëvendosje. Kjo është çështje e formuluar fare mirë në Kushtetutë megjithëse edhe kjo dispozitë nuk i referohet fare formimit të qeverisë pas mocionit të mosbesimit”.
“Neni 95 i referohet formimit të qeverisë pas zgjedhjeve paragrafi i dytë, i tretë dhe i katërt. I pesti i referohet formimit të qeverisë në rastin kur kryeministri vdes, kur kryeministri bëhet invalid i kategorisë së parë dhe sëmuret rëndë, dhe dorëheqje. Mirëpo asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur. Prandaj nuk mund të aplikohet paragrafi i pestë i nenit 95. Lëvizja Vetëvendosje ka autorizim për ta propozuar kandidatin apo kandidaten për mandatim për formimin e Qeverisë. Këtu është një defekt në kushtetutë dhe nuk ka afat e që quhet zbrazëtirë juridike”, shpjegoi Smaka, për EO.
Mes tjerash, Smaka tha se kurrsesi nuk duhet dhënë dikujt tjetër mandatimin për formimin e qeverisë së re përveç fituesit të zgjedhjeve.
Smaka deklaroi se opozita që po pretendon për ta formuar qeverinë pa Lëvizjen Vetëvendosje do të prodhojë skandal kushtetuar.
Sipas Smakës, nuk është mënyra më e mirë dërgimi i letrave, ani pse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka thënë që nuk ka kandidat por, vetëm ka kërkuar që të shpallen zgjedhjet pas pandemisë.
“Gjykata kushtetuese ka dhënë një opinion që në qoftëse në tentativën e parë dështon partia politike që e ka shumicën në Kuvend atëherë në raundin tjetër sipas diskrecionit të presidentit, që nëse partia e parë nuk e ka mandatarin për formimin e qeverisë , eventualisht i propozohet mundësia koalicionit tjetër. Opozita që po pretendon për ta formuar qeverinë pa Lëvizjen Vetëvendosje kjo do të ishte skandal kushtetuar”.
“Siç e ka presidenti diskrecionin për ta shpërbërë apo për ta mos shpërbërë Kuvendin pas miratimit të mocionit të mosbesimit ashtu e ka tashmë kryeministri këtë diskrecion që të propozojë kandidatin. Nuk mundet ky afat të hipotezohet se ja kam dërguar letrat nuk është përgjigjur. Kryeministri po kërkon që të shpallen zgjedhjet pas pandemisë dhe nuk po thotë që nuk do ta propozojë kandidatin për mandatar”, theksoi Smaka.
Smaka e komentoi kushtetutën, duke thënë se mund të ndryshohet. Ai tha se qeveria në dorëheqje është qeveri funksionale dhe mund t’i ushtrojë funksionet e ekzekutivit deri në formimin e qeverisë tjetër.
“Ka mundësi që të ndryshohet kushtetuta. Unë ju kam shkruar presidentit Thaçi dhe kryeministrit Kurti. Cilado prej tyre mund ta japin propozim amendamentin për këtë afat. Prej momentit të miratimin për mocionin e mosbesimit përkatësisht të përfundimit të zgjedhjeve deri në propozimin e kandidatit për 15 ditë apo 20 ditë. Jo të veprohet sipas mendimeve dhe opinioneve këto nuk janë burime juridike. Qeveria quhet në nenin 100 të paragrafit 2, në dorëheqje ani pse nuk ka dhënë dorëheqje pas miratimit të mocionit të mosbesimit. Qeveria në dorëheqje është qeveri funksionale. Do t’i ushtrojë funksionet e ekzekutivit deri në formimin e qeverise tjetër”, përfundon Smaka, raporton EO.